Llogaritja e votave kushton para, të vegjlit e opozitës kërkojnë në Kushtetuese ndryshimin e formulës

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 15:53 | Politikë
Llogaritja e votave kushton para, të vegjlit e opozitës

Humbja e zgjedhjeve parlamentare mund të mos jetë e keqja më e madhe për opozitën. Partitë e vogla i druhen edhe kapitullimit financiar të tyre.

Pesë aleatët e Lulzim Bashës iu drejtuan dyerve të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar nenin 88 të Kodit Zgjedhor i cili parashikon mënyrën e re të përllogaritjes së votave të partive garuese në koalicion, që praktikisht përkthehet në shumën e parave që marrin nga lekët e shtetit.

“Votat që një parti ka marrë në një zonë zgjedhore ku nuk ka prodhuar deputetë nuk përkthehet në mbështetje financiare. Kjo shkelje e barazisë para ligjit është shkelje kushtetuese. Ai subjekt që siguron vota duhet të marrë financimin përkatës”, thotë Dardan Mustafa, avokat i Partisë Republikane.

Ligji parashikon se partive pjesëmarrëse në koalicion i përllogaritet numri i votave në bazë të numrit të mandateve dhe kandidatët që nuk thyen herësin, konsiderohen me zero vota.

Për Komisionin Qendror të zgjedhjeve, vota preferenciale nuk është e lidhur me përkatësinë politike.

“Ligjvënësi nuk e ka lidhur votën parapëlqyese të kandidatit me përkatësinë politike të kandidatit. Pas ndryshimeve kushtetuese, ligjvënësi e konsideroi të drejtë ndryshimin e nenit duke përcaktuar edhe një formulë për ndarjen e fondeve të koalicionit”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Këto ndryshime u miratuan në 5 tetor 2020 dhe ishin pjesë e ndërhyrjes që mazhoranca bëri me dakordësinë e opozitës parlamentare, ndërsa ajo jashtë Kuvendit i denoncoi si të njëanshme.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos