
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të premte në Kumanovë, qytetin me shumicë shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacionit të bërë publik nga Ministria e Brendshme e RMV, një 46-vjeçar ka vrarë me thikë bashkëshorten dhe vjehrrën e tij.
Pas aktit të rëndë, ai ka tentuar të kryejë vetëvrasje duke kërcyer nga kati i katërt i pallatit ku jetonin, por ka përfunduar duke marrë lëndime të rënda trupore.
Pas transportimit për në Spitalin e Shkupit, 46-vjeçari ka ndërruar jetë, duke mos mundur t’u mbijetojë plagëve.
“Rreth orës 14:25 në bazë të kallëzimit të pranuar, në një banesë në Kumanovë, zyrtarët policorë kanë gjetur të vdekura 40 vjeçaren E.A.J (40) nga Kumanova dhe nënën e saj P.N, të cilat paraprakisht janë vrarë me thikë nga 46 vjeçari D.J nga Kumanova (bashkëshorti i E.A.J). Më pas D.J ka plagosur veten dhe është hedhur nga dritarja. D.J është transferuar në spitalin e Kumanovës, ku edhe ka ndërruar jetë”, njofton ministria.
Sipas mediave në Maqedoni, autori ka qenë më parë disa herë i denoncuar për dhunë në familje nga bashkëshortja e ndjerë.
Autoritetet maqedonase ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkaqet e ngjarjes së rëndë. (A2 Televizion)