
Shqiptarët shpenzojnë më tepër për ushqim se kudo tjetër në Europë. Të dhënat e fundit të Zyrës Europiane të Statistikave tregojnë se ne shpenzojmë më shumë për nevoja bazë si ushqimi dhe qiraja, që zënë rreth 55% të buxhetit, duke lënë shumë pak mundësi për luks dhe argëtim.
Shqiptarët kanë më pak mundësi për shpenzime që lidhen me restorantet, hotelet, veshjet dhe argëtimin, edhe krahasuar me vendet e rajonit. Dhe kjo duket se shpjegohet me çmimet e mallrave dhe shërbimeve.
Ushqimi, pijet alkoolike, strehimi, mobilimi dhe komunikacioni kanë një kosto më të lartë se kudo tjetër në Ballkan, madje ky i fundit është edhe më i shtrenjtë se në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër, një vend turistik si Shqipëria ka kosto më të ulëta për restorantet, argëtimin dhe transportin edhe krahasuar me vende që këto industri i kanë ndjeshëm më pak të zhvilluara se ne.
Kostoja e jetesës në Shqipëri është e lartë në raport me të ardhurat. Ndërsa sipas Eurostat, rritja e fuqisë blerëse është më e ngadalta në rajon, pavarësisht rritjes ekonomike mbi 4%. (A2 Televizion)