
Ekonomia shqiptare po performon më mirë se sa parashikimet e Ministrisë së Financave, duke sjellë 5 miliardë lekë apo rreth 41 milionë euro më shumë, në arkat e shtetit se sa planifikimi për periudhën Janar-Korrik.
Të dhënat e fundit tregojnë se rritja e importeve ka qenë faktori kryesor në rritjen e të ardhurave, ku karburantet, automjetet e përdorura, duhani, veshjet, metalet dhe materialet e ndërtimit kanë dhënë ndikimin më të madh. Për këtë arsye, doganat kanë arkëtuar 101.8 miliardë lekë, plot 19.4 miliardë lekë më shumë se sa plani.
Një ecuri pozitive kanë edhe të ardhurat tatimore me 2.1 miliardë lekë më shumë të grumbulluara. Por teksa biznesi pagoi më pak për tatimin mbi fitimin, pesha e taksave ka anuar më shumë nga qytetarët. Kjo si për TVSH-në që faturohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet që mbahen nga paga.
Sipas të dhënave që raporton Ministria e Financave, në fund të Qershorit, numri i të punësuarve në vend arriti në 710 mijë persona, 32,700 më shumë se një vit më parë dhe 23,800 më shumë se përpara nisjes së pandemisë.
Qeveria ndërkohë vijon me mosrealizimin e investimeve publike, ku pas zgjedhjeve të 25 Prillit ka ulur ndjeshëm ritmin e shpenzimeve. Për 7 muajt e parë të vitit, shpenzimet kapitale kapën vlerën e 39.6 miliardë lekëve, apo vetëm 63.3% të planit të periudhës. Një ecuri e tillë bie ndesh me deklaratën e qeverisë se ekonomia ka nevojë për më shumë shpenzime nga buxheti, arsye pse kërkohet edhe rritja e borxhit publik dhe mosrespektimi i rregullave për deficitin. (A2 Televizion)