
Tërmetet e vitit 2019 që goditën zona të ndryshme të vendit, kanë shtyrë shqiptarët të sigurojnë pronat e tyre, edhe pse ende në shifra relativisht të ulëta.
Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, arritën për gjysmën e parë të këtij viti në mbi 1 miliard lekë. Kjo përbën një rritje të ndjeshme me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe thuajse dyfishim krahasuar me gjashtëmujorin e vitit 2019.
Teksa numri i banesave të siguruara sot është më i lartë, ky numër përfshin thuajse vetëm shtëpitë e blera me kredi bankare, ku sigurimi i pronës është detyrim për klientin. Kjo përkon edhe me ecurinë e huave për shtëpi të dhëna nga sistemi bankar, që kulmuan në 137 miliardë lekë në fund të qershorit.
Një tjetër arsye për rritjen e primit të sigurimit të banesave vjen edhe nga rritja e vlerës së pronave në treg, veçanërisht për kryeqytetin, për shkak se llogaritja e siguracionit bëhet pikërisht mbi bazën e vlerës së shtëpisë.
Aktualisht, vlera e siguracionit për një banesë me sipërfaqje 80 metra katrorë në kryeqytet varion nga 9 mijë deri në 12 mijë lekë në vit, ndërsa për të njëjtën sipërfaqe në qytetet e tjera është ndjeshëm më e ulët.
Tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të vitit 2019 nxorën në pah mungesën e sigurimit të banesave, ku shteti u detyrua të paguante për pjesën dërrmuese të dëmeve, duke vënë buxhetin në vështirësi serioze. (A2 Televizion)