
Huatë e marra në banka e që nuk kthehen brenda afateve të përcaktuara, të njohura edhe si kreditë këqija, shënuan nivelin më të ulët në muajin qershor duke zbritur në 7,12 për qind të totalit të portofolit nga 7,8 për qind që ishin në muajin maj.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues po qëndron në vlerat më pozitive që prej vitit 2008.
Në nisje të pandemisë në vend, Banka Qendrore parashikoi se niveli i huave me probleme do tw arrinte në 15 për qind. Për ekspertin e ekonomisë Enriko Ceko, mbajtja e këtij treguesi në nivele të kënaqshme ka ardhur, jo si pasojë e ndërhyrjeve nga Banka e Shqipërisë, por nga mungesa e dhënies së kredive të reja.
Rritja e aftësisë paguese të bizneseve, rigjallërimi i sektorëve kyç të ekonomisë si dhe përmirësimi i besimit në ekonomi janë faktorët e tjerë që kanë ndikuar në uljen e huave me probleme. (A2 Televizion)