
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi kanë prezantuar sot buxhetin për këtë dikaster, ku në fokus do të jetë teknologjia, inovacioni dhe arti dhe zejet si dhe agrikultura. Në fjalën e tij kreu i qeverisë deklaroi se risitë dhe ajo pjesë e problematikave të adresuara nga nxënësit dhe të rinjtë, janë financuar dhe do të fillojnë të zbatohen që nga janari.
Për herë të parë, tha Rama është adresuar nevoja për rritjen cilësore të laboratorëve në shkolla, ku që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë ndryshimi rrënjësor i tyre.
“Ne për herë të parë kemi adresuar nevojën për rritjen cilësore të laboratorëve të shkollave që mësimi i teorisë të kalojë në praktikë, laboratorët janë të varfër, puna në laborator bëhet me fjalë jo me instrumente në dispozicion. Mësimi i informatikës nuk mund të jetë teorik. Ne do të bëjmë ndryshim rrënjësor të laboratorëve qysh në fillim të vitit të ardhshëm me mirëpajisjen e tyre dhe ndrysim në mësimin e informatikës, duke përfituar nga mësimi që na dha pandemia. Jemi duke punuar që të bëjmë gati për vitin e ardhshëm shkollor një sistem të ri të mësimit në klasë dhe laboratorët e informatikës duke ju vënë në dispozicion mësuesit më të mirë që do të jenë trupa udhëheqëse e gjithë mësuesve”.
Një gjuhë dhe një fuqi e re në funksion të zhvillimit ekonomik e social, i konsideroi Rama njohuritë teknologjike dhe kompjuterike për të cilat do të investohet në buxhet me qëllim që të rinjtë të zhvillojnë dijet e tyre dhe të përfshihen në tregun global të punës.
“Për ne është e qartë që nëse duam një treg që të ofrojë punë të shumëmirëpaguar për më të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të zhvillimit ekonomik e social duhet të testojmë në njohuritë kompjuterike e teknologjike të fëmijëve. Është fjala për një gjuhë të re që është gjuha që do bashkojë gjithë botën, ndërkohë që sot bashkon shumë njerëz që punojnë në një treg që nuk ka kufi, dhe këtu kemi një prej tyre që banon në zonat rurale të Durrësit që prej dy vjetësh punon në Amerikë nga shtëpia dhe paguhet më mirë se mësuesit që kanë shkollë dhe kjo është e ardhmja. Por për ta bërë këtë të ardhme të tashme na duhet të bëhemi aleatët tuaj në rrugë ku të keni mundësitë për të përvetësuar këtë gjuhë. Nga njëra anë sistemi i teknologjisë që do ngrihet në nivel të ri dhe këtë do ta bëjmë me siguri dhe nga ana tjetër për t’u dhënë atyre që janë më të prirur kohë e hapësirë e mundësi që të zhvillojnë dijet e tyre edhe pas shkolle, në qendra e njësi speciale dhe të përfshihesh në tregun global të punës online”.
Po kështu një tjetër fushë e përfshirë në buxhet është edhe kodimi, ku Rama bëri me dije se do të ngrihen dy qendra të reja informatike në Vlorë dhe në Shkodër, ku objektivi është që brenda këtij mandati këto qendra të shtrihen në të gjitha bashkitë brenda mandatit të tretë.
“Është eksperienca me qendrën që është hapur te stadiumi dhe do të zgjerohet me piramidën dhe kemi filluar punën për të pasur edhe dy qendra të tjera një në Vlorë dhe një në Shkodër ose Durrës. Brenda këtij mandati të kemi qendra të tilla brenda çdo qarku. Kurset intensive të kodimit ku do angazhojmë aktorë të certifikuar dhe të hyjnë në ndërveprim intensiv që kanë dëshirë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë. Buxheti i vënë në dispozicion është vetëm për fazën e parë”.
Por edhe pse teknologjia e kompjuterat janë bërë pjesë e pandarë e jetës së përditshme, Rama theksoi se në buxhet janë përfshirë edhe ato aspekte që kanë të bëjnë me njerëzoren si arti dhe kultura, dijet që kompjuterat nuk mund t’i bëjnë kurrë, ku shtoi se synimi është edhe pasurimi i bibliotekave të shkollave.
“Një aspekt tjetër që kemi dëgjuar është ai i mbushjes së boshllëkut mes shkollës dhe shtëpisë me mundësinë për të pasur biblioteka. Bibliotekat e shkollave tona të ndërtuara pas tërmetit kanë hapësira fantastike, por janë shumë të varfëra dhe duhet të fillojmë pasurimin e e tyre. Hapësira për zhvillimin e talenteve që nga piktura vallëzimi dhe muzika, teatri për të cilën ne duam të krijojmë një nivel të parë bazuar te dëshira dhe një nivel të dytë më të kualifikuar. Kemi vendosur një fond që do të vihet në lëvizje nga ju. Nëse ka klube me këtë fond mund të marrin mbështetje nëse bëjnë projekte të besueshme”.
Në buxhetin për rininë është përfshirë edhe vullnetarizmi, për të cilin Rama theksoi se do të ketë një certifikatë për të dhe do të ketë mbëhstetje financiare modeste. Sipas tij qëllimi është për të çuar para agjendën e Shqipërisë së pastër dhe të gjelbër.
“E njëjta gjë ëpr vullnetarizmin. Ajo që është e rëndësishme është që certifikata e vullnetarizmit do të vlejë nesër për të kërkuar dhe duam që të kenë mbështetje financiare modeste për të patur një impakt minimal. Iniciativa për ta pasur Shqipërinë më të pastër do të jetë prioritare. Do të bëjmë çmos që ta çojmë para agjendën e Shqipërisë së gjelbër e të pastër. Ndarje mbeturinave për riciklim që nga shkolla”.
Ndërsa ministrja për rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, shtoi se në buxhet përfshihet fond i veçantë për transportin e nxënësve që e kanë shkollën larg.
“Në buxhetin që kemi alokuar një pjesë e problematikave do të marrin zgjidhje. Nga janari në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kemi planifikuar një fond për koston e transportit për ata që e kanë larg shkollën”. (A2 Televizion)