
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë prezantuar sot buxhetin prej 360 milionë dollarësh për shëndetësinë të vitit 2022, ku në fokus do të jetë rritja e pagave për bluzat e bardha.
Kreu i qeverisë deklaroi se ambicia e qeverisë është rritja e pagave për bluzat e bardha me 40 për qind brenda këtij mandati të tretë në të gjitha shkallët.
"Prej hapit të parë që kemi hedhur, pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur 63 për qind. Natyrisht që ne nuk jemi të vetëpërmbushur nga ky fakt dhe ambicia jonë është që pagat të vazhdojnë të rriten çdo vit me synimit për të kapur plus 40 për qind brenda këtij mandati të tretë dhe plus 6 për qind vitin e ardhshëm. Gjatë këtij mandati pagat do të rriten me 40% në të gjitha nivelet”.
Rama tha se mjekët nuk duhet të paguhen të gjithë njësoj, por mbi rrogën bazë të fillojnë pagesa të ndryshme sipas kontributit dhe performancës.
“Mjekët të mos paguhen të gjithë njësojë sado të rriten pagat, por të fillojë një pjesë tjetër që mbi rrogën bazë të fillojnë pagesa të ndryshme sipas kontributit dhe performancës".
Duke folur për rindërtimet e spitaleve, Rama tha se spitali memorial i Fierit është një pikë referimi jo vetëm për cilësinë e shërbimeve, por edhe një hap i parë për autonominë spitalore.
“Sot po rindërtojmë një sistem pajisjesh të fjalës së fundit në struktura jetike si spitali infektiv, në spitalin e ri të pediatrisë, sëmundjeve të brendshme, maternitetin Mbretëresha Geraldinë, spitalet në Elbasan dhe Kukës, janë kantierë në proces dhe do të shtojnë një fuqi të re të sistemit. Nuk do të përmbushin nevojën për një fuqi të sistemit, pasi ka ende për të shtuar, por do të mbulojnë të gjithë infrastrukturën më kritike të sistemit. Në 8 vite vendosja e të gjitha këtyre bazave të rëndësishme për sistemin tregon për maksimizim të kohës, për të ardhur për spitalin memorial të Fierit, që është një eksperiencë e re dhe padiskutim ai spital është i destinuar që të jetë një pikë e patundshme referimi për shërbimet me cilësitë më të larta, por edhe një hap i parë për autonominë spitalore”.
Rama ceku edhe problematikën e largimit të mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, ku pranoi se hendeku u krijua për shkak të mbylljes së specializimeve, për të cilin ende nuk ka një shpjegim. Ai tha se kjo fazë është tejkaluar dhe tashmë nuk ka asnjë vend bosh.
“Për të mos folur pastaj për atë që mbetet një nga gjërat më të pashpjegueshme të historisë në këto vite dhe mëdo që jam munduar të gjej një opinion nuk e kam gjetur dot një shpjegim nga mjekët e profesorët që është ndërprerja e specializimeve. I vetmi vend në planet 4 vjet pa asnjë specializim u kijua një hendek që u përkthye në mungesë specialistësh në sistemin shëndetësor por shenjë e faktit që sistemi nuk qeverisej, por shpërdorohej. Problemi i largimit të mjekëve dh infermierëve e kam hasur si problem te një pjesë e kryeministrave të BE për shkak se destinacionet e mjekëve janë në Europë, nuk janë gjithandej. Të gjitha e vendet e tjera e kanë ketë problem. Paradoksi është që ndërsa çështja e mjekëve e infermierëve trajtohet si çështje e humbur sikur këtu nuk ka mjekë e infermierë sikur këtu janë shoqatë kasapësh e berberësh që japin shërbim shëndetësor. E vërteta është qëë ne nuk e kemi problem, nuk kemi problem vendin e zbrazur të mjekëve e infermierëve. Kemi mjekë të rinj që konkurojnë për të mbuluar pozicione që hapen për faktin që dikush largohet ose del në pension. Kemi numër të konsiderueshëm infermierësh që janë në listë pritje. Nuk ka asnjë vend bosh. Kriza që patëm në fazën e parë ishte pasojë e mbylljes së specializimeve dhe u krijuan boshllëqe për shkak të mungesës së specializantëve tani kjo është e tejkaluar. Unë kam biseduar me disa syresh që janë kthyer dhe është e qartë pse kthehen. Kthehen për ambicie profesionale, lidhje me vendin dhe për një arsye tjetër sepse shohin këtu kushtet e punës me të cilën mund të bëjnë punë e tyre. Nuk po ikin nga një klinikë a spital ku punohet me instrumente të fjalës së fundit dhe po vijnë këtu të kapin pinca kineze”.
Në fjalën e tij Rama solli në vëmendje edhe rastin e Tire Alldervishit, ku garantoi se kjo kategori do të vijë duke u tkurrur vit pas viti.
“Tirja nga këtej doli nuk ishte meteor që ra nga qielli, por dy gjëra janë të sigurta që shumica e mjekëve dhe infermierëve nuk i përkasin asaj kategorie dhe e dyta; ajo kategori do të vijë vit pas viti duke u tkurrur. Këtu duhet të jetë e qartë për qytetarët që shajnë në bllok që nuk janë të gjithë njësor”.
Kreu i qeverisë foli edhe për ndërkombëtarizimin e sistemit të lartë duke ofruar dije nga sistemet europiane dhe programe të përbashkëta dhe diploma të njehsuara.
“Ndërkombëtarizim i sistemit të arsimit të lartë dhe për afruar dije nga sistemet europiane për t’iu ofruar programe të përbashkëta dhe diploma të njehsuara drejtpërdrejt. Jam i sigurt që në këtë mandat do t’ ia dalim të vendosim një bazë inkurajuese për sistemin e mjekësisë”.
Gjatë prezantimit të buxhetit, Rama theksoi se është trefishuar volumi financiar i rimbursimeve si dhe është përmirësuar infrastruktura e shërbimit parësor spitalor. (A2 Televizion)