“Shqipëria n’Kuvendim”, organizohet për herë të parë ushtrimi për demokracinë debatuese

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2021, 15:58 | Politikë
“Shqipëria n’Kuvendim”, organizohet për herë

Angazhimi i qytetarëve dhe konsultimi publik janë nxitës të rëndësishëm të politikëbërjes efektive dhe të qëndrueshme. Në këtë drejtim, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim po organizon eksperimentin e parë për ushtrimin e demokracisë debatuese.

120 qytetarë po marrin pjesë në anketimin deliberativ “Shqipëria n’Kuvendim”, një koncept që njihet si demokracia debatuese. Ky është eksperimeti i parë kombëtar i organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ku qytetarët do të debatojnë për disa çështje kryesore me të cilat po përballet vendi.

Për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ky është një ushtrim i fuqishëm demokracie që në të ardhmen do të ndihmojë mirëqeverisjen.

“Demokracia është një sienergji midis procesit dhe produktit. Edhe pse Demokracia Deliberative krijon përshtypjen sikur mbivlerëson procesin, ky ushtrim i fuqishëm demokracie nuk mund të mos japë produktin e vet në formën e institucioneve demokratike të konsoliduara dhe qeverisjes së mirë”, tha Nikolla.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraq Hroni, theksoi rëndësinë e konsultimeve me shoqërinë civile për proceset demokratike.

“Asnjë insitucion publik nuk mund të zëvendësojë për një kohë të gjatë dhe të efektshme domosdoshmërinë për përfshirjen me argumente të qytetarëve apo më tej të shoqërisë civile. Shpresoj të jem në gjendje të dëshmojnë përmes këtij ushtrimi se demokracia deliberative nuk është një utopi, pavarësisht sa larg mund të duket”, shtoi Hroni.

Përgjatë tri ditëve, pjesëmarrësit në këtë anketim do të debatojnë mbi çështje të ndryshimeve si mbikëqyrja parlamentare dhe pjesëmarrja e qytetarëve, demokracia e brendshme e partive politike, reforma e sistemit zgjedhor, mbrojtja e mjedisit dhe imigrimi ekonomik në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos