
Eksperti i ekonomisë Maksim Caslli e konsideroi rritjen e çmimeve një fenomen të importuar nga jashtë dhe duke qenë se vendi ynë nuk prodhon shumë do t’i ndjejë më shumë efektet.
Caslli shtoi se edhe kur ekonomia globale do të kthehet në normalitet, çmimet nuk do të shkojnë në nivelin e mëparshëm. Ai u shpreh se në raste të tilla qeveria duhet që të ndihmojë drejtpërdrejtë familjet më në vështirësi.
“Siç e thanë dhe parafolësit ky është një fenomen botëror që na imponohet dhe në Shqipëri. Por të gjitha vendet po reagojnë në lidhje me këtë fenomen, kështu që edhe ne duhet të reagojmë. Ekonomia jonë fatkeqësisht nuk prodhon shumë dhe kjo na vë në situatë të vështirë dhe është një alarm që duhet të ngrejmë për të ardhmen. Duhet të jemi të përgatitur duke prodhuar. Kemi një pjesë të shoqërisë në varfëri dhe vëmendja e qeverisë duhet të jetë tek ta që mos lihen pa një ndihmë direkte. Ekonomia amerikan i ndihmon me një çek, këtu tek ne është emergjente. 40% e popullsisë janë në limite dhe nuk mundet të veprosh ndryshe. Në mendimin tim pavarësisht se do të ketë një axhustim çmimet nuk do të shkojnë në periudhën e parakrizës”, u shpreh Caslli në A2 Business. (A2 Televizion)