
Për eksperten e ekonomisë Zana Guxholli rritja që kanë pësuar çmimet dhe rrjedhimisht inflacioni është normale pas një krize që kaloi vendi siç është ajo e pandemisë.
Guxholli u shpreh në A2 Business se në disa raste çmimet janë rritur nga faktorë që nuk varen nga ne, por megjithatë i kërkoi qeverisë që të forcojë mekanizmat kontrollues që kjo rritje të jetë e shëndetshme.
“Është normale që pas një krize sic ishte ajo e pandemisë, kur fillon rimëkëmbja, menjëherë fillon tendenca e rritjes së inflacionit, pra e çmimeve. Pra është pjesë e procesit. Dhe ne e kemi rritjen me ritme të shpejta kështu që pritet. Nuk ka pse të çuditemi. Duhet të kujdesemi që rritja e çmimeve të jetë në tendencën natyrore te procesit dhe të mos shtrembërohet. Duhet ta pranojmë që është një fenomen mbarëbotëror. Janë rritur kostot e transportit, për arsye që nuk varen nga ne. Ka rritje të shëndetshme dhe jo të shëndetshme që mbështetet nga abuzimet. Pra detyra e qeverisë është të forcojë mekanizmat kontrollues”, u shpreh Guxholli. (A2 Televizion)