Celibashi: Nuk raportohen problematika sinjifikative. Bora bllokoi votimet në 3 qendra

Nga A2 CNN
6 Mars 2022, 15:44 | Politikë
Celibashi: Nuk raportohen problematika sinjifikative. Bora bllokoi votimet

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zyrtarizoi se në 3 qendra votimi, nga 942 gjithsej në 6 bashkitë ku po zhvillohen sot zgjedhjet, nuk ka nisur votimi dhe procesi nuk do të nisë.

“Bëhet fjalë për dy qendra në Shosh dhe një në Pult. Shkaku është pamundësia për të shkuar e anëtarëve të komisionit për shkak të kushteve atmosferike”, tha Celibashi.

Në lidhje me procesin e votimit në qendrat e tjera, Celibashi tha: “Në lidhje me votimin elektronik, vetëm në pesë qendra votimi nuk ka pasur operatorë, pra identifikimi është bërë përmes listës së zgjedhësve të printuar. Në 15 qendra të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik. 75% e qendrave të votimit janë hapur në orën 07:00, 25% janë hapur deri në orën 07:30. Pra, në 07:30, sipas raportimit që ka KQZ, të gjitha qendrat janë të hapura. Kemi vërë verifikime në terren të situatës në qendrat e votimit dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit. Në disa qendra kemi pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar. Kemi komunikuar dhe na kanë raportuar se situata është kthyer në normalitet”, tha Celibashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos