Censusi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka sjellë në Shqipëri, zëvendëskryeministrin e vendit fqinj, Artan Grubi. Ai kërkoi mbështetjen e institucioneve dhe palëve politike në Tiranë, duke e cilësuar si tejet të rëndësishëm regjistrimin e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Është një proces shumë i rëndësishëm që duhet të bëhet. Është shumë i domosdoshëm për shqiptarët e Maqedonisë”, deklaroi ai.
Numri dy i qeverisë së Shkupit gjeti mbështetjen e ministrit për Diasporën, Pandeli Majko që e cilësoi regjistrimin si një proces jetik, që kushtëzon të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Censusi nuk është një veprim burokratik, por një proces që ka të bëj me të drejtën. Nëse dalin më shumë se 20% atëherë shqiptarët do të kenë të drejtën e gjuhës”, deklaroi Majko.
Përkrahje për censusin zëvendëskryeministri Grubi mori dhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Grubi pati takime dhe me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe presidentin Ilir Meta, të cilët gjithashtu theksuan nevojën e regjistrimit të popullsisë shqiptare në vendin fqinj. (A2 Televizion)