Ceremonia e lamtumirës së Princit Philip, të shtunën live në A2

Nga A2 CNN
16 Prill 2021, 16:58 | Bota
Ceremonia e lamtumirës së  Princit Philip, të shtunën live

Miliona njerëz në të gjithë botën do të ndjekin të shtunën ceremoninë mortore të Princit Philip, bashkëshortit të Mbretëreshës së Anglisë, Elisabeth II, i cili ndërroi jetë më 9 prill.

Ceremonia për nder të Dukës së Edinburgut do të nisë në kishëzën e “St. George”, në kështjellën “Windsor”, me një minutë heshtje në të gjithë vendin.

A2, partner ekskluziv i CNN në Shqipëri, do të transmetojë të gjithë ceremoninë, duke nisur nga ora 15:00 me orën tonë, me pamje ekskluzive.

Mbretëresha dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore do të marrin pjesë në ceremoninë, që është kufizuar për vetëm 30 veta, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Katër fëmijët e dukës së Edinburgut dhe dy nipat e tij, princi William dhe Harry, do të shoqërojnë arkivolin e tij gjatë procesionit, duke ecur pas makinës “Land Rover” të modifikuar posaçërisht, ku me kërkesë të vetë princit Philip do të vendoset arkivoli i tij.

Lista me 30 të ftuar do të përfshijnë vetëm familjarë dhe të afërt të ngushtë, mes të cilëve edhe 3 kushërinj gjermanë të bashkëshortit të Mbretëreshës. Pjesëmarrësit do të mbajnë veshje zie me medalje, por jo uniforma ushtarake siç është tradita mbretërore.

Kjo zgjedhje diktohet nga tërheqja e dy pjesëtarëve të familjes, princit Andrew dhe Harry nga funksionet mbretërore, çka i pengon të mbajnë uniforma. Pjesëmarrësit do të mbajnë maska dhe do të respektojnë distancimin social, me mbretëreshën që do të ulet e vetme.

Një zëdhënës i pallatit tha se planet ishin modifikuar në varësi të rregullave anti-covid, por aspekti ceremonial i shërbesave do të plotësonte dëshirat e Dukës. Siç thuhet, ceremonia do të reflektojë lidhjen e Princit Philip me ushtrinë dhe do të ketë elemente personale të jetës së tij.

Ngjarja e fundit e familjes mbretërore që ka marrë audiencë globale ishte martesa e Princit Harry me Meghan Markle, në maj 2018, kur rreth 28 milionë persona në SHBA dhe 18 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, ndoqën drejtpërdrejt para ekranit ceremoninë, sipas shifrave të kompanisë së matjes së audiencës televizive, “Nielsen and the Broadcasters”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos