Certifikata shëndetësore, e detyrueshme për 1.8 milionë punonjës në Francë

Nga A2 CNN
31 Gusht 2021, 12:47 | Bota
Certifikata shëndetësore, e detyrueshme për 1.8 milionë

Franca ashpërson masat kundër personave të pavaksinuar, në një përpjekje për të frenuar valën e infektimeve me variantin Delta. Nga 30 gushti, punonjësve në sektorë të ndryshëm, përfshirë në restorantet, qendra tregtare, kinema dhe muze duhet të tregojnë certifikatën shëndetësore, ose në të kundërt rrezikojnë pezullimin. Dëshmia, e cila prej disa javësh u kërkohet qytetarëve për të vizituar kinematë, restorantet, palestrat apo muzetë, do të jetë tani e detyrueshme për 1.8 milionë punonjës në të gjithë vendin.

Marco Benard, kryekamarier: “Duke filluar nga sot, stafi duhet të tregojë certifikatën shëndetësore, duke dëshmuar se ka marrë të dyja dozat apo ka test negativ. Duhet të kontrollojë të gjithë ata që do të vijnë sot, me QR kod dhe gjithçka tjetër”.

Certifikata shëndetësore tregon provën e vaksinimit, testi negativ apo shërimi nga sëmundja pronarët dhe menaxherët e bizneseve thonë se rregulli i ri do të ketë pasoja.

Daniel Uzan, menaxher: “Kjo i ndryshon disi gjërat. Shumica e stafit janë të vaksinuar por disa jo, dhe do të duhet t’i nënshtrohen testit PCR, që do të jetë i vlefshëm për 3 ditë. Nëse ata nuk do ta bëjnë do të duhet t’i zëvendësojmë me punonjës të përkohshëm”.

Por ministri i Financave Bruno Le Maire, këmbëngul se certifikata shëndetësore është mbrojtja më e mirë për bizneset gjatë krizës shëndetësore.

“Pas një periudhe përshtatje, certifikata shëndetësore nuk e ka ngadalësuar konsumin, rritjen apo investimet në Francë. Kështu është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur”.

Dhjetëra mijëra protestues kanë dalë nëpër rrugë gjatë javëve të fundit për të protestuar kundër certifikatës shëndetësore, por qeveria thekson se ajo është e nevojshme për të luftuar pandeminë. Sondazhet sugjerojnë se shumica e qytetarëve i mbështesin rregullat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos