Çështja e detit në Hagë, Karamelo: Ka pasur pengesa. Neza: Mungesë transparence

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2022, 20:20 | Aktualitet
Çështja e detit në Hagë, Karamelo: Ka pasur pengesa. Neza:

Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës ndodh që kryeministri i Greqisë të vizitojë Shqipërinë 2 herë brenda një muaji. Kyriakos Mitsotakis ishte në Tiranë në samitin e liderëve të BE me vendet e Ballkanit në 6 dhjetor, ndërsa nesër i shoqëruar nga homologu Edi Rama do të vizitojë jugun e vendit, Himarën dhe Derviçanin, zona të minoritetit grek. Por kësaj vizite i parapriu sot Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias. Ai u takua me homologen Olta Xhaçka dhe Kryeministrin Rama ku nënvizoi 4 çështjet, që sipas tij, do të hapin një kapitull të ri mes të dy vendeve. Për Dendias ato janë: Dërgimi në Hagë i marrëveshjes për detin edhe “shelfin continental”, zgjidhja e ligjit të luftës, shmangia  e episodeve në kufi si dhe mirëmbajtja e piramidave kufitare.

Për këto zhvillime u diskutua në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Ligoraq Karamelo, ish-deputet i minoritetit grek, ish-drejtues i OMONIA-s dhe PBDNJ-së, u shpreh se palët kanë rënë dakord vetëm së fundmi për ta çuar çështjen e detit në Hagë. Sipas tij, çështja ka hasur në pengesa.

“Për t’u nënvizuar është fakti që të dyja palët kanë rënë dakord për ta çuar në Hagë çështja e detit. Deri tani, çuarja në Hagë ka qenë një simbol, pa pasur diçka konkrete. Rrugës për t’u dorëzuar në Hagë, kjo marrëveshje ka pasur shumë vështirësi, sidomos nga pala shqiptare”.

Ligoraq Karamelo

Ndërkohë, analisti Sami Neza nënvizoi mungesën e transparencës, ndërsa tha nëse palët kanë rënë dakord për pjesën më të madhe të çështjeve, atëherë nuk kanë pse të shkojnë në Hagë.

“Nëse palët bien shumë dakord për të shkuar në Hagë, atëherë nuk kanë pse shkojnë në Hagë. Për të shkuar në Hagë ata duhet të identifikojnë çështjet dhe të qartësojnë pozicionet. Nëse ka një dakordësi në shumë pozicione nuk kanë pse të shkojnë në Hagë. Mu duket se kishte relaks mes palëve. Ndoshta ka shkuar dhe për tej marrëveshjes kjo gjë. Duhet të theksojmë mungesën e transparencës. Mungesa e transparencës ka qenë që prej 2013 e deri më sot. Nuk e dimë pozicionin e saktë të qeverisë shqiptare. Nuk dimë se çfarë pyetjesh ka ndërtuar qeveria shqiptare. Haga është një proces i gjatë dhe do të marrë shumë kohë për të dhënë një përgjigje, pasi mund të shërbejnë edhe si precedentë". (A2 Televizion)

Sami Neza

A2 CNN Livestream

Latest Videos