
Duken një refren i përsëritur akuzat që palët politike i adresojnë njëra-tjetrës për lidhje me krimin, kryesisht nga opozita për shumicën qeverisëse, qoftë ajo e majtë apo e djathtë. Akuza kundër akuza deri në kallëzime ne organet gjyqësore nga palët respektive. Nga ana e tij, organi i akuzës të krijon përshtypjen se herë i shpejton e herë i ndalon hetimet për dosjet ku pjesë janë dhe politikanë.
Një dosje tepër e komentuar është ajo e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit zyrtarisht janë bërë tre akuza nga Prokuroria e Krimeve të Rënda: trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Për gazetarin e kronikës në A2 CNN, Julian Kasapi, dy akuzat e para duket se kanë rënë dhe e vetmja pikë ku do të mund të kapet Prokuroria është akuza e tretë. “Prokuroria ka të faktuar që ish-ministri i Brendshëm shkoi me pushime në Greqi me jaht dhe pasi jahti u prish lajmëroi një oficer të policisë shqiptare dhe me ndihmën e tij e dërgoi jahtin në portin e Durrësit”, tha Kasapi. “Kjo nuk mund të ndodhë dhe këtu është edhe shpërdorimi i detyrës. Akuza për trafik të lëndëve narkotike nuk qëndron”.
Megjithatë, absurde në këtë histori duket fakti që pavarësisht se akuzat ndaj Tahirit janë tepër të rënda, ai nuk është pas hekurave. “Nuk mundet që një person që të ketë këto akuza të hetohet në gjendje të lirë”, shtoi Kasapi.
Ndërsa për Ledio Brahon, avokatin e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, edhe ai i përfshirë në një proces gjyqësor në çështjen “Babale”, procesi ndaj Tahirit nuk mund të zbresë në këtë nivel “Sot po të jesh i dyshuar për vjedhje të energjisë apo ngjarje të makinës në gjendje të dehur, Prokuroria kërkon arrest me burg, ndërsa Tahiri hetohet në gjendje të lirë”, tha Braho. “Nëse e gjithë çështja do të shfryhet në shpërdorim detyre, atëherë kjo është qesharake”. (A2 Televizion)