Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
5 Mars 2021, 08:10 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Kosova mbylli dje procesin e numërimit dhe rinumërimit të votave ku u konfirmua se personi më i votuar në këto zgjedhje është presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani. “Faleminderit për mbështetjen shkroi ajo”, në një postim në Facebook. "Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm".

Përkujtohet sot 23-vjetori i Epopesë së UÇK-

Në Kosovë nisin sot aktivitetet që shënojnë 23-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, në përkujtim të luftës së saj. Por ndryshe nga vitet e mëparshme, ky aktivitet nuk do të mbahet në qendër të Prishtinës, por në kazermat e FSK-së ku të pranishëm do të jenë një sërë personalitetesh.

Tjetër tërmet me magnitudë 5.9 ballë në Greqi

Një tjetër tërmet i shkallës 5.9 Rihter goditi Greqinë fqinje mbrëmjen e djeshme duke shkaktuar dëme materiale dhe panik të madh te banorët e shumtë, që nga frika të riktheheshin në banesat e tyre e kaluan natën jashtë. Ky është tërmeti i dytë pas atij të së mërkurës. Sipas drejtorit të agjencisë respektive, vendi ndodhet në një aktivitet sizmik, i cili ka regjistruar edhe shumë lëvizje të tjera gjatë natës. Autoritetet lokale u aktivizuan në ngritjen e çadrave për banorët e zonave.

Tri tërmete dhe alarm për cunami në Zelandën e Re

Tri tërmete të fuqishme shkundën Zelandën e Re pasuar nga një alarm për cunami të njoftuar nga autoritetet respektive. Sikurse njoftojnë mediat e huaja, tërmetet ishin me magnitudë 6.9, 7.1 dhe 8.1 të Shkallës Rihter. Dallgët që pasuan në det ishin mbi 2 metra. Njerëzit u larguan nga banesat e tyre për t’u rikthyer më pas kur rreziku duket i kaluar.

Draghi shtyn votimin për komunat në Itali

Qeveria e Mario Draghi-t ka shtyrë votimin për komunat në Itali duke marrë shkas nga pandemia e koronavirusit. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, zgjedhjet për Kryetar Bashkie në qytetet kryesore italiane si Roma, Milano, Torino dhe Napoli janë shtyrë për midis 15 shtatorit dhe tetorit.

Josep Borrel viziton sot Qipron në kohën e tensioneve me Turqinë

Marrëdhëniet e tensionuara mes Qipros dhe Turqisë dhe aktiviteti i kësaj të fundit në Detin Mesdhe prej kohësh tani janë pjesë e debatit të vendeve anëtare të BE-së. Për këtë arsye sot, Qipron e viziton zyrtari i lartë i BE-së, Josep Borrel, ndërkohë që pasdite pason një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Rrëzohet helikopteri ushtarak turk, vdesin mbi 10 ushtarë

Të paktën 10 ushtarë turq mbetën të vrarë dhe 4 të tjerë u plagosën rëndë kur një helikopter ushtarak u rrëzua në provincën e Bitlis, në juglindje të vendit në kufi me Irakun. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Ministra e Mbrojtjes, mjeti fluturues u zhduk nga radarët gjysmë ore, pasi ishte nisur në fluturim. Mbi ngjarjen kanë nisur hetimet për të cilësuar edhe shkaqet e saj.

SHBA nis sulmet në Siri

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nisur sulmet ajrore në Siri. Këtë konfirmojnë mediat vendase, sipas të cilave, presidenti amerikan e ka anuluar një të tillë më 26 shkurt, pas njoftimit të minutave të fundit ku thuhej se në zonën e sulmit gjendej edhe një grua me disa fëmijë. Ushtria amerikane ka marrë urdhër tjetër më pas që të godasin një tjetër strukturë të milicisë iraniane të pozicionuar po në Siri.

Papa Françesku vizitë 3-ditore në Irak

Papa Françesku nis sot vizitën treditore në Irak, të parën vizitë që prej fillimit të pandemisë. gjate këtyre ditëve, Ati i Shenjtë, pritet të vizitojë Bagdadin, Jugun e Irakut dhe Erbilin në veri, i cili u bë shënjestër e sulmeve me raketa rreth një javë më parë. Por kjo nuk e tremb kreun e Kishës Romano-Katolike që nuk pranon ta zhgënjejë komunitetin e krishterë të Irakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos