
Zgjedhjet e 25 prillit, nis sot zyrtarisht fushata elektorale
Partia Socialiste hap sot fushatën e saj zgjedhore në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00. Në një organizim të ndikuar edhe nga pandemia koronavirus, do të marrin pjesë përfaqësuesit politikë të të gjitha qarqeve në vend duke respektuar të gjitha masat kundër përhapjes së Covid-19. Por nuk mbeten pas as në kampin tjetër. Edhe PD njoftoi nisjen e fushatës së saj në sheshin “Nënë Tereza” në orën 17:00.
Edi Rama në Turqi, jep mesazh pozitiv për vaksinat
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një postim nga vizita e tij në Turqi, ku ndodhet për finalizimin e marrëveshjes me distributorin turk për marrjen e vaksinës kineze. Kreu i qeverisë shkruan se gjatë kësaj vizite në Stamboll pritet të arrijë marrëveshjen për një numër të konsiderueshëm vaksinash.“Në Stamboll për shumë vaksina. O ia dalim, o ia dalim, s'ka tjetër dhe po s'ia dolëm ne, askush tjetër nuk ka si ia del dot!”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Samiti i BE, i pranishëm Joe Biden
Liderët e vendeve të BE-së mblidhen sot në videokonferencë në samitin e radhës së unionit, mbi çështje që shqetësojnë vendet anëtare. Për të parën herë në të do të jetë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, me ftesë të presidentit të Këshillit, Charles Michel. Palët do përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet mes tyre pas katër vitesh të vështira gjatë administratës së Trump. Përpos kësaj, Biden do përqëndrohet edhe te Kina dhe Rusia në një kohë që disa vende kanë marrëdhënie tregtare me të dyja ato dhe Gjermania po përpiqet të përfundojë projektin e gazsjellësit me Rusinë.
Greqi shënon 200-vjetorin e Pavarësisë, festimet kulmojnë me paradë ushtarake
Me të gjitha elementet, përfshirë edhe masat kundër pandemisë, Greqia pritet të shënojë sot 200-vjetorin e revolucionit të madh që solli edhe krijimin e shtetit. Nuk do të mungojnë aktivitetet artistike që i kushtohen asaj date, por edhe parada ushtarake në sheshin e madh të kryeqytetit Athinë, Sintagma. Pavarësisht se të ftuar ishin një numër i konsiderueshem liderësh europiane ka nga ata që i janë përgjigjur me jo, ftesës për pjesëmarrje. Nuk kanë munguar ndërkohë letrat e urimit nga shumë prijës shtetesh, mes të cilëve edhe presidenti ynë
Europa në krizë vaksinash, në Romë gjenden 29 milionë doza
Policia italiane zbuloi në Romë 29 milionë vaksina të AstraZeneca-s teksa bastisi ambientet e një kapanoni farmaceutik. Në lidhje me këtë sasi, kur BE-ja po vuan mungesën e medikamentit për qytetarët e saj, kompania tha se ato kanë si destinacion vendet europiane dhe ato të varfra në sajë të programit Covax të OBSH-së. Një efektiv i lartë në Itali pohoi më vonë se edhe dokumentacioni shoqërues tregonte se vaksinat kishin për destinacion Brukselin.
SHBA-ja dhe BE-ja të vendosura për bashkëpunimin për Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel ku pas takimit dypalësh të dy përfaqësuesit u shprehën edhe në lidhje me Ballkanin Perëndimor. “Do të punojmë së bashku, duke shmangur çdo lloj gare midis nesh për të mbështetur pajtimin dhe për të përmirësuar qeverisjen e për nxitur reformat që e bëjnë të mundur integrimin në Bashkimin Europian të këtij rajoni tha Borrell duke treguar mbështetjen e të dyja palëve. (A2 Televizion)