
Shpërthim eksplozivi në qendër të qytetit të Lushnjës
Një shpërthim është dëgjuar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës, që mendohet të jetë shkaktuar nga një sasi eksplozivi. Sipas policisë, lënda shpërthyese ishte vendosur në një ambient në lagjen "Skënder Libohova" në pronësi të shtetasit A.A. që më parë kishte shërbyer si lokal. Nga shpërthimi është dëmtuar vetëm qepeni i ambientit, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe vënie e autorëve përpara drejtësisë.
Procesi i imunizimit, Kosova pret 77 mijë doza vaksinë nga Covax para majit
Kosova do të furnizohet edhe me rreth 77 mijë vaksina kundër Covid para muajit maj në sajë të programit Covax. Vendi e nisi procesin e vaksinimit të hënën, me 24 mijë dozat e para të marra nga kompania AstraZeneca. Përparësi iu dha personelit shëndetësor dhe atyre mbi 80 vjeç. Nëse gjërat shkojnë sipas planit të qeverisë, deri në fund të vitit pritet të vaksinohen 70 për qind e popullatës. Këto të dhëna i konfirmoi shefja e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Edita Haxhiu.
Pandemia koronavirus, Greqia nis procesin e rihapjes
Pasi lehtësoi masat për sa i takon lëvizshmërisë, sot Greqia fqinje hap dyqanet, por jo ato në qendrat tregtare. Bashkësia e Sipërmarrësve në të gjithë vendin e mirëpriti vendimin e Komitetit të Ekspertëve dhe ofron deri në 70 për qind ulje në artikujt e tyre për të gjithë qytetarët që prej muajsh kanë humbur rastin të bëjnë blerje si pasojë e izolimeve. Por një vendim i tillë nuk parashikon të njëjtën gjë në rajonet e Kozanit, Patrës dhe Larisas ku përhapja e virusit paraqitet më problematike. “Situata do të mbahet nën kontroll”, tha kryeministri Mitsotakis, “dhe nëse gjërat shkojnë mirë pas Pashkës do të hapim baret dhe restorantet.
Maqedonia e Veriut nis fazën e dytë të vaksinimit
Maqedonia e Veriut nis sot fazën e dytë të vaksinimit masiv me rusen Sputnik. Synimi i Ministrisë së Brendshme është të vaksinohen 5 mijë persona në ditë ku do të përfshihen punëtorët e mediave, gjykatat, shoferët e transportit publik, zjarrfikësit, punëtorët në çerdhe dhe punëtorët e pikë pagesave. “Janë përgatitur gjithsej 48 pozicione për vaksinimin të menjëhershëm dhe kapacitet për të vaksinuar rreth 5.000 qytetarë në ditë. Sipas planit, do të punohet në dy turne nga ora 08:00 deri në 20:00, thuhet në njoftimin përkatës të ministrisë. Ndërkohë që vazhdon edhe vaksinimi masiv me AstraZeneca për personat mbi 77 vjeç.
Zgjedhjet në Bullgari, exit-poll-s nxjerrin fitues Borisov
Bullgaria mbajti ditën e djeshme zgjedhjet parlamentare, ku partia konservatore Gerb e kryeministrit në detyre Bojko Borisov sipas të gjitha sondazheve kryeson rezultatin. Këtë thonë të paktën mediat vendase që i referohen exit poll-eve të para pas mbylljes së procesit të votimit. Sipas të dhënave të deritanishme, Gerb ka marrë 25 për qind të votave e ndjekur nga partia "Ka një popull" e yllit televiziv Slavi Trifonov në vendin e dytë me 17,1 për qind të votave.
Dridhet Atletico Madrid, gara për La Liga zyrtarisht e hapur
Titulli në Spanjë është tërësisht i hapur pas javës së 29 të La Liga. Atletico Madrid u mund nga Sevilla dhe tashmë është vetëm 3 pikë larg vendit të dytë, Real Madrid, por një tjetër kundërshtar është edhe më kërcënues për “Los Colconeros”. Nëse Barcelona triumfon në sot në mbrëmje ndaj Valladolid, atëherë katalanasit do të ngjiten në vendin e dytë dhe do të jenë vetëm një 1 pikë pas Atleticos që javët e fundit e ka shpërdoruar distancën e madhe që krijoji gjatë fillimit të këtij viti. (A2 Televizion)