
Kushtet e punës në pandemi, Italia në grevë
Në Itali, sindikatat e punës në privat dhe shtet kanë njoftuar një grevë të përgjithshme gjatë ditës së sotme që do të prekë të gjithë sektorët jetikë sikurse bëjnë me dije media vendase. Arsyeja e kësaj greve janë kushtet e vështira të punës gjatë pandemisë së Covid-19. Ndonëse Italia është nën masa shtrënguese dy manifestime janë paralajmëruar në Romë dhe Milano. Greva ka ngjallur shqetësim te qytetarët përsa i takon transportit dhe shkollave.
Covid-19, Gjermania forcon masat ndaj udhëtarëve të huaj
Gjermania prezanton sot planin e ri të masave shtrënguese kundër pandemisë për sa i takon hyrjeve të të huajve në vend. Sikurse bëri me dije në një konferencë dje ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, në plan është bllokimi i hyrjeve në vend të udhëtarëve nga Britania e Madhe, Portugalia, Afrika e Jugut dhe Brazili, pas rasteve të shtuara me variantin e ri të koronavirusit. Seehofer shtoi se është i nevojshëm një plan i përgjithshëm i BE-së në lidhje me këtë çështje.
Biden, urdhër të ri ekzekutiv për azilkërkuesit
Sot, presidenti amerikan, Joe Biden, do të anulojë të tjerë urdhra ekzekutive të firmosura në administratën e mëparshme nga Donald Trump. Sipas asaj që raporton the “Wall Street Journal”, Biden do të shfuqizojë sistemin e ndërtuar nga administrata Trump për dhënien e azilit në SHBA. Presidenti Biden do e kthejë situatën në praktikën e aplikuar më parë nga presidenti Obama. Urdhri që firmoset sot, përveç lehtësirave që parashtron për kërkuesit e azilit, parashikon edhe anulimin e marrëveshjes me vende si Guatemala, Hondurasi dhe El Salvatori për t’i dërguar azilkërkuesit në ato vende.
Prodhimi i vaksinës, Sanofi ndihmon Pfizer
Në mes të debateve mes BE dhe kompanisë prodhuese të vaksinave anti-covid, në lidhje me furnizimin e vendeve të bllokut, në lojë futet një kompani tjetër me peshë si francezja Sanofi, e cila në një deklaratë befasuese u shpreh e gatshme për të vënë në dispozicion burimet e saj njerëzore dhe ambientet për të bërë mbushjen e flakonëve për të përshpejtuar procesin.
Kriza në Itali, nuk ka zgjidhje për qeverinë e re
Pas dy ditësh diskutime të gjata, ende nuk ka një përgjigje për krijimin e qeverisë së re në Italia. Presidentit i Republikës ka pritur deri tani partinë “Italia viva” të Matteo Renzit dhe Partinë Demokratike të Nicola Zingaretit që përbëjnë edhe partitë e shumicës, së bashku me lëvizjen 5 yjet. Renzi është dakord për një qeveri të re, por pa Conten në krye ndërkohë që nga PD mbetet figura e ish-kryeministrit ende. Fjala e fundit i mbetet Luigi Di Maios i cili takon sot në mesditë Sergio Mattarelën për mundësitë e fundit.
Zgjedhjet në Kosovë, AAK prezanton listën
Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë po afrohen dhe në këtë kuadër AAK bën sot publike listën e kandidatëve të saj, përfshi edhe vet Ramush Haradinaj, i cili po kandidon thjesht për deputet në kuvend dhe jo për kryeministër. “AAK do të kontribuojë në Parlament dhe Qeveri, dhe me mua si president do ta bëjmë Kosovën një shtet me të cilën të krenohemi të gjithë dhe të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së”, tha Haradinaj. Sipas tij, AAK po garon me një program qeverisës që i përgjigjet sfidave që përballet vendi dhe me kandidatë me integritet. I njëjti hap pritet brenda ditës edhe nga parti të tjera politike.
Liverpool lë pas krizën dhe rikthehet te fitorja
Rikthehet Liverpool. Pas 3 humbjeve dhe një barazimi në katër ndeshjet e fundit, skuadra e Jurgen Klopp mbushet me frymë ndërsa gjen fitoren e parë për këtë vit dhe një sukses që nuk vjen ndaj një kundërshtari të lehtë, por përballë Tottenham. Kampionët e Anglisë fituan 3-1 një duel që dukej se do të kthehej sërish në malore për “të kuqtë” në momentin që Son i dha avantazhin Tottenham. Goli i koreanit u anulua nga VAR për pozicion të parregullt dhe pas atij momenti, Liverpool mori komandën e lojës duke gjetur gola të njëpasnjëshëm, me Firminho, Alexandër-Arnold dhe Sadio Mane. 3 pikë të rëndësishme në sfidën direkte për kampionët që mbeten në katërshen e parë.
Napoli kalon në gjysmëfinalen e kupës, dy shqiptarë në fushë
Napoli plotësoi 4 skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Italisë. Skuadra e Gennaro Gatusso e arriti këtë falë fitores pa vështirësi 4-2 ndaj Spezias, gola të cilët u shënuan të gjithë në 40 minutat e para. Në fushë, ishin përballë dy shqiptarët që mbrojnë ngjyrat kuqezi, Elseid Hysaj dhe Ardian Ismajli, me kapitenin e përfaqësueses, që doli triumfues në fund, madje edhe duke qenë protagonist, ndërsa asistoi Coulibali në golin që zhbllokoi shifrat. Për finalen e Kupës do të luhet në datën 3 shkurt. Napoli dhe Atalanta do të duelojnë në njërin krah dhe në tjetrin do të kenë vendin Juventus dhe Inter. (A2 Televizion)