Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
14 Prill 2021, 08:13 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Situata është serioze dhe të gjithë duhet ta marrim seriozisht, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një deklaratë referuar situatës pandemike. Pas takimit me ministrat u vendos për masa të tjera deri në izolim në ato lande që kalojnë treguesin e infektimeve mesatare të vendit, por një vendim i tillë duhet të kalojë më parë në parlament.

Holandë, masat kufizuese në fuqi deri më 28 prill

Qeveria holandeze e Mark Rute vendosi me shumicë votash se kufizimet nga virusi do të duhet të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 28 prill. Vetë kryeministri Rutte, shpjegoi për mediat se shkalla e infeksioneve të koronavirusit është ende shumë e lartë për të lejuar një lehtësim të masave, të paktën derisa të kapërcehet vala e tretë e infeksioneve.

FDA: Vaksinat Pfizer dhe Moderna mbrojnë deri në 9 muaj

Vaksinat Pfizer dhe Moderna janë në gjendje të mbrojnë kundër Covid-19 për të paktën nëntë muaj. Kjo është gjetja më e fundit e Agjencisë Amerikane të Barnave pavarësisht se sipas të dhënave të mëparshme, vaksinat e bazuar në ARN kishin efekt mbrojtës deri në 6 muaj.

Marrëdhëniet Greqi-Turqi, Dendias viziton sot Ankaranë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, viziton sot Ankaranë, pavarësisht dyshimeve të shumta në lidhje me procesin e dialogut. Duke pasur parasysh pretendimet e presidentit Erdogan në takimin me Cavusoglu, Dendias i ka marrë parasysh të gjitha skenarët dhe kërkesat, që nga pretendimet turke për pakicën myslimane në Traki, e deri te çështja e ushtarëve turq që u arratisën pas grushtit të shtetit të vitit 2016.

Konflikti Rusi-Ukrainë, Blinken dhe Stoltenberg diskutojnë sot hapat që duhen marrë

Çështja e pozicionimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën sjell sot në Bruksel Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken i cili bashkë me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenbergun do të vlerësojnë hapat që duhen ndërmarrë. “Rusia duhet t’i ndalojë provokimet e saj”, tha Stoltenberg.

Vrasja e 20-vjeçarit me ngjyrë, vijojnë protestat në SHBA

Një tjetër natë protestash të dhunshme u shënua mbrëmë në SHBA. Tensione pati në Brooklyn Center, një periferi e Minneapolis, ku qytetarë të shumtë nuk morën parasysh orën policore, por u mblodhën të ngrinin zërin kundër vrasjes së 20-vjeçarit afro-amerikan, Daunte Wright, nga një oficer policie.

Irani nis pasurimin e uraniumit në 60%

Irani ka filluar pasurimin e uraniumit në 60% në uzinën bërthamore Natanz. Kjo u njoftua nga zëvendësministri i Jashtëm i vendit, i cili ka mbërritur në Vjenë për të marrë pjesë në një takim të ri të komitetit të përbashkët të marrëveshjes bërthamore 2015.

Biden do të tërheqë trupat nga Afganistani deri më 11 shtator

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, synon të njoftojë tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri më 11 shtator, që përbën edhe një datë simbolike e lidhur me sulmin mbi Kullat Binjake. Washington Post shkruan se njoftimi zyrtar pritet të bëhet sot në daljen e përjavshme të presidentit për media.

SHBA-Rusi, vullnet për dialog në çështjet e sigurisë

Si pala amerikane dhe ajo ruse "shprehën vullnetin për të vazhduar dialogun në sektorët më të rëndësishëm për sigurinë botërore". Kremlini e konfirmon këtë nëpërmjet një shkrimi në faqen e internetit duke iu referuar një telefonate midis dy presidentëve. Qëllimi i dialogut është t'i "përgjigjet interesave jo vetëm të Rusisë dhe SHBA-së, por të të gjithë bashkësisë ndërkombëtare".

FDA ndalon përdorimin e vaksinës Johnson and Johnson

Agjencia Amerikane e Barnave dhe Ushqimeve ndaloi dje përdorimin e vaksinës së Johnson and Johnson pas komplikimeve të shfaqura te personat nga 18-48 vjeç që e kishin marrë atë. SHBA-ja, Afrika e Jugut dhe Bashkimi Evropian do të ndalojnë përkohësisht shpërndarjen e vaksinës Johnson & Johnson (J&J) kundër Covid-19, pas raporteve për mpiksjen e gjakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos