Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 08:17 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nuk do të ketë një bashkëpunim mes Bashës dhe Ramës. Këtë e konfirmoi mbrëmjen e djeshme vetë kreu i opozitës nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ku shkruan se koha e Ramës ka mbaruar dhe vota e shqiptarëve më 25 prill do të jetë për ndryshimin. Dje, kryeministri i shtriu dorën për bashkëpunim Bashës, nëse ai distancohej nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.

KQZ: Rezultati i votimeve do të dalë më shpejt

Nxjerrja e rezultatit të votimeve në kohë të shpejtë është zyrtarizuar më në fund edhe në vendin tonë. Komisioni Rregullator pranë KQZ kërkon që rezultati i zgjedhjeve të dalë në orën 08:00 të datës 26 prill. Kjo do të nënkuptonte një stres më vete për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi kreu i saj, Ilirian Celibashi kishte kërkuar 72 orë kohë për këtë çështje.

Meta kthen ligjin për sigurimin e detyrueshëm të transportit

Presidenti i Republikës i ktheu Kuvendit ligjin për sigurimin e mjeteve të transportit me arsyen se nuk është i drejtë me qytetarët për sa kohë e lë në dorë të kompanisë të vendosin për çmimin e primit, pavarësisht historikut të drejtuesit të mjetit. Presidenti thekson se edhe këtë herë Kuvendi tregoi se përballë interesave të qytetarëve vë ato të biznesit.

Rreth 50 për qind e popullatës në Shqipëri e kanë kaluar Covid-19

Rreth 50 për qind e popullatës në vendin tonë e kanë kaluar Covid-19 dhe kjo e afron vendin gjithnjë e më shumë drejt imunizimit të tufës. Por, se si paraqitet e ardhmja nuk dihet ende. Ekspertët shëndetësorë thonë se askush nuk mund të parashikojë trajtën që do të marrë virusi. Vendi shënon sot 300 mijë vaksinime në total.

Rama: Rruga e Arbrit, e kalueshme pas 2 muajsh

Rruga e Arbrit do të mund të jetë e kalueshme pas dy muajsh. Kjo është garancia që kryeministri Rama mori nga ndërtuesi i saj gjatë inspektimit të bërë, duke e cilësuar këtë aks si të dytin panoramik në vend pas rrugës së lumit të Vlorës.

SPAK kërkon rikthimin në qeli të mjekut Edvin Prifti

SPAK kërkon të rikthejë në qeli mjekun Edvin Prifti, i arrestuar në muajin shkurt për korrupsion dhe pastrim parash, por që u lirua më vonë. Sipas SPAK, lirimi i tij nuk duhej bërë, pasi për mjekun ekzistojnë prova që e implikojnë atë me akuzat.

Kurit: Kush nuk justifikon pasurinë, do t’i konfiskohet

Të gjithë personat që nuk e justifikojnë pasurinë e tyre do t’i konfiskohet. Është kjo parathënia e ligjit të ri bërë nga kryeministri Kurti në Kosovë, sipas të cilit do t’i jepet fund epokës së deritanishme ku dominonte rroga e vogël e deklaruar dhe fitimi i madh. Kemi premtuar se do luftojmë krimin dhe korrupsionin, tha Kurti dhe ky është hapi i parë.

BE: Pasaportat e vaksinimit të jenë gati në qershor

Nëse doni të udhëtoni jashtë për turizëm, këtë verë duhet të pajiseni me certifikatat e gjelbra digjitale që tregojnë se jeni të vaksinuar me markat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. BE kërkoi që ato të kenë përfunduar brenda muajit qershor pavarësisht se shtetet si Greqia dhe Spanja kishin kërkuar që ato të ishin gati që në maj, në nisjen e sezonit.

Biden njofton zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani

"Vetëm afganët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë për të udhëhequr vendin e tyre". Me këto fjalë Joe Biden njoftoi zyrtarisht tërheqjen e trupave amerikane deri më 11 shtator. Shtetet e Bashkuara, shpjegoi presidenti amerikan, arritën qëllimin e tyre në Afganistan 10 vjet më parë kur udhëheqësi i Al Kaedës, Osama bin Laden, u vra nga një komando amerikane. Në ndjekje të kësaj lëvizjeje edhe NATO njoftoi pakësimin e trupave të saj në Afganistan.

Rusia i bëri thirrje SHBA-së të qëndrojë larg Krimesë

Vazhdon konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë. Dje, të dyja palët zhvilluan stërvitjen ushtarake njëkohësisht, ndërkohë që nga SHBA-ja u nisën dy anije luftarake. Duke e parë një lëvizje të tillë si provokim, Rusia i bëri thirrje SHBA të qëndrojë larg Krimesë. Sipas Kremlinit zyrtar, në këto kushte edhe takimi mes dy presidentëve do të vihej në pikëpyetje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos