Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 07:51 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Karantina për të hyrë në Shqipëri, reagojnë autoritetet maqedonase

Pas komunitetit shqiptar në Greqi edhe pala maqedonase e dënon vendimin e karantinimit të qytetarëve që vijnë nga këto vende për dy javë. Sikurse shkruajnë mediat vendase, kjo ka shkaktuar edhe dëm ekonomik mes të dyja vendeve, pasi shtetasit maqedonas që kishin planifikuar të kalonin Pashkën në Shqipëri, e kanë anuluar vizitën e tyre dhe kanë kërkuar rimbursim nga agjencitë turistike. Por e njëjta gjë ndodh edhe për ata shtetas shqiptarë që kishin prenotuar në Ohër, pasi kur të kthehen edhe atyre u duhet të zbatojnë masat për karantinim të detyruar.

INSTAT: Shqetësues numri i aksidenteve të vend

Instituti i Statistikave publikoi raportin mbi aksidentet në vendin tonë për 3 muajt e parë të vitit. Sipas raportit të INSTAT, 323 aksidente u regjistruan në tre muajt e parë, me një rritje në krahasim me një vit më parë ku ndikoi edhe karantina e marsit të 2020. Vetëm në muajin mars numërohen 119 aksidente me 150 persona të lënduar dhe 18 viktima. Për shumicën dërrmuese të këtyre fataliteteve, fajin e kanë drejtuesit e mjetit vëren raporti dhe në 1/5 e rasteve fajin e kanë pasur këmbësorët që kalojnë në rrugë në vende jo të përcaktuara. “Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25–34 vjeç, duke zënë 26,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej”.

Tentativa për të blerë votën, dy të proceduar, mes tyre një turk

Policia e Vlorës ka proceduar në gjendje të lirë dy të rinj, një shtetas shqiptar dhe një turk, të cilët akuzohen për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Jorisild Muçaj, 24 vjeç dhe turku Abdulgafur Balikci 23 vjeç, janë personat e proceduar. Sipas policisë, Muçaj në kohë të ndryshme kishte marrë shuma të ndryshme parash nga shtetasi turk me qëllim sigurimin e votave të disa të njohurve të tij. Ky është rasti i dytë i procedimit të personave për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Rreth dy javë më parë në Pukë u proceduan dy shtetas të tjerë për një skemë të ngjashme për blerjen e votave.

Dialogu me Serbinë, Albin Kurti nuk heq dorë nga plani i tij

“Qeveritë e kaluara kanë krijuar një perceptim që Kosova është e gatshme për kompromise tjera, pas atyre të pakos së Ahtisarit. Kjo qasje ka dëmtuar marrëdhëniet tona, sidomos me partnerët tanë strategjikë". Kjo është deklarata zyrtare pas letrës së presidentit Biden në lidhje me dialogun mes dy vendeve. “Ne do të punojmë që të argumentojmë të drejtat tona sovrane. Këtë do ta bëjmë duke ruajtur këtë partneritet. Dëmin e shkaktuar nga qeveritë e kaluara duhet ta zhbëjmë pa shkaktuar dëm të ri”. Opozita e AAK dhe PDK, ndërkohë nuk janë dakord për asnjë kompromis në lidhje me këtë çështje.

Bundesliga, garë e fortë për një vend në Champions League

Në Bundesligën gjermane është mbyllur gara për titull, por jo ajo për 3 vendet e tjera që sigurojnë pjesëmarrjen në Champions League. Dortmund mundi 2-0 Union Berlin, por është jashtë katërshes së parë me 52 pikë. Verdhezinjtë qëndrojnë 5 pikë pas Wolsburgut të vendit të tretë dhe 4 larg nga Eintracht Frankfurt që mban vendin e katërt. Vendi i dytë në Bundesligë mbahet nga Leipzig, disi më e sigurt për kualifikimin në Ligën e Kampionëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos