
Dita Botërore e Lirisë së Medias, Borrell: Duhet bërë më shumë
Liria e medias duhet të mbrohet dhe promovohet ngado. Është kjo thirrja e Komisionerit Europian për fqinjësinë e mirë, Josep Borrell në Ditën Botërore të Lirisë së Medias. “Është për të ardhur keq që shumë gazetarë janë keqtrajtuar këto kohë, burgosur e dhunuar në një kohë kur informacioni ka nevojë të jetë i lirë”, tha ai. BE-ja ka nisur një fushatë të gjerë për të mbrojtur gazetarët dhe mediat e lira në luftën kundër keqinformimit.
Rezultati i dobët në zgjedhje, dorëhiqet kreu i Bindjes, Astrit Patozi
Astrit Patozi bëhet lideri i dytë që heq dorë nga drejtimi i partisë, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. "Duke falënderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marr të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë”, shkruan Patozi në një postim në Facebook.
Përmirësim i situatës pandemike në vend, vetëm 53 raste të reja
Lajme të mira për sa i takon situatës pandemike në vend. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, vetëm 1 person humbi jetën. Përgjysmohet ndërkohë shifra e infektimeve të reja dhe testimeve. Si rezultat, 53 persona dolën pozitivë në 1535 testime të kryera.
Tirana gabon në transfertën e radhës përballë Bylis
Tirana shpërdoroi mundësinë e rikthimit të bujshëm si pretendente për kampionat, duke barazuar pa gola në ndeshjen kundër Bylisit. Në fushën “Adush Muça”, bardheblutë patën raste të shumta, por sulmuesit Seferi dhe Torasa, ashtu si dhe Ismailgeci, nuk ishin cinikë dhe të ftohtë mjaftueshëm për të tundur rrjetën. Ndërkohë, pika vlen vetëm për Bylisin, që ngushton diferencën me Kastriotin në luftën për mbijetesë. Pikërisht krutanët u mposhtën 0-2 në shtëpi nga Skënderbeu, që shënoi falë Viktor dhe Vangjelit në sekondat e fundit të ndeshjes. Kastrioti, Bylisi dhe Skënderbeu ndahen tashmë me nga dy pikë, diçka që e bën Superioren në krye, por edhe në fund tërësisht të paparashikueshme.
Ngec Atalanta, Inter shpallet kampion i Italisë
Inter është skuadra kampione e Serisë A për sezonin 2020-2021. Zikaltrit e Antionio Contes kanë fituar titullin kampion pa zbritur në fushë, kjo për shkak të barazimit të Atalantës përballë Sassuolos pasditen e kësaj të diele. Ndalesa e Atalantës, i mundëson Interit sigurimin matematikisht të vendit të parë, pozicion që milanezët e ruajnë prej muajsh, me një diferencë të theksuar nga ndjekësit. Inter thyen në këtë mënyrë dominimin 9-vjeçar të Juventus dhe rikthehet te titulli kampion pas 11 vjetësh. Ky është titulli numër 19 i klubit milanez, që për herë të fundit ka triumfuar në Itali, në vitin 2010.
Messi mban Barcelonën në garë për titull
Barcelona mundi 3-2 Valencian në një ndeshje emocionuese ku nuk munguan as përmbysjet e as golat spektakolarë. Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh dhe trembën katalanasit, për të cilët një ndalesë do të ishte fatale për titullin. Por Barcelona ka forca për të kthyer rezultatin, me kapitenin Leo Messi, njëherë nga pika e bardhë dhe njëherë nga një goditje standarde magjike, ndërsa barazon Cristiano Ronaldon për numrin e golave nga goditjet e dënimit me 56 të tillë. Barcelona ngjitet edhe njëherë në vendin e tretë, me 2 pikë më pak se Atletico i vendit të parë kur kanë mbetur edhe katër ndeshjet e fundit për t’u luajtur në La Liga.
Kampionati holandez, Ajaksi shpallet sërish kampion
Ajaksi është kampion në Holandë për të herë të dytë radhazi. Skuadra kryeqytetase ia doli të mbrojë kurorën, të cilën e pati vendosur në vitin 2019, ndërkohë që sezonin e kaluar, kampionati holandez u pezullua nuk shpalli fitues për shkak të pandemisë Covid-19. Ajaksi ia doli të fitojë titullin 3 javë përpara fundit duke krijuar distancën e mjaftueshme nga rivalët e PSV që ndodhen në vendin e dytë. Triumfi i Ajaks erdhi falë fitores 4-0 në ndeshjen e kësaj fundjave kundër skuadrës së Emmen, sukses që ndezi festimet e klubit më të titulluar në Holandë, ndërsa u prit nga mijëra tifozë në ambientet jashtë stadiumit “Johan Krojf”. (A2 Televizion)