
Për të dytin vit radhazi mesha e ringjalljes e Krishtit nuk është zhvilluar në mesnatë, por gjatë paradites së të dielës. Besimtarët ortodoksë të Vlorës ashtu si në të gjithë vendin, nën masat anticovid, u mblodhën në kishën Shën Theodhori ku kanë kryer ritet e Pashkës së madhe. Ndërkohë po në qytetin e Vlorës janë mbajtur edhe karnavalet e Nartës, ditë kjo që përkon me ditën e Pashkës.
Ndryshe nga herët e tjera kësaj radhe aktiviteti u zhvendos në qendër historike të Vlorës.
Edhe në Korçe lajmi për ngjalljen e Krishtit u shpall këtë mëngjes në meshën e nisur në orën 08:00 dhe jo si gjithmonë në mesnatë. Mesha e mbajtur këtë mëngjes mblodhi me qindra besimtarë të cilët në mënyrë të organizuar janë futur brenda në kishë njëkohësisht duke zbatuar masat anticovid. Ata janë lutur dhe kanë ndezur qirinj për jetë më të mirë dhe shëndet mbi të gjitha.
Pashka simbolizon ringjalljen e Jezus Krishtit. Ajo është dita me e rëndësishme në kalendarin fetar ortodoks dhe mesazhi i kësaj dite të madhe tregon fitoren e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. (A2 Televizion)