
600 mijë vaksinime kundër Covid në vend. Lajmin e njoftoi vet kryeministri Rama nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa përsëriti objektivin prej 1 milion të tillash në vend.
Ndërkohë, statistikat konfirmuan dje vetëm 1 viktimë dhe 57 të infektuar të rinj. Në 24 orë, janë shëruar 963 persona.
PD ankimoi rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe
PD ankimoi dje në KQZ rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në të gjitha qarqet ku nuk doli fituese.
“Procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi”, thanë përfaqësuesit e kësaj force politike, teksa depozitonin faktet e mbledhura.
“Viktimat e kësaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre, vijoi reagimi zyrtar. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend.
Pas Beratit, LSI ankimon rezultatin e zgjedhjeve në Durrës
Edhe LSI iu drejtua dje KQZ për të dytën herë brenda ditës. Ajo ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit pasi e kishte bërë diçka të tillë gjatë ditës për Beratin. Sipas ankimimit, LSI kërkon një rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Përfaqësuesit e saj thanë se janë konstatuar që në disa QV në Durrës janë gjetur fletë votimi pa vulë.
Natë e përgjakshme në Amerikë
Një person ka hapur zjarr në Kolorado gjatë një feste ditëlindjeje, mbrëmjen e djeshme, ku i mori jetën 6 personave, përfshirë edhe të dashurën e tij dhe më pas qëlloi veten.
Lajm i mirë, sipas policisë është se atentatori nuk ka qëlluar mbi fëmijët e pranishëm.
Pak më vonë në Feniks të Arizonës, në një hotel në qendër të qytetit, një person vdiq dhe të paktën shtatë të tjerë u plagosën.
Sipas policisë, një mosmarrëveshje që përfundoi në tragjedi, gjatë një ngjarjeje në të cilën merrnin pjesë njerëzit e përfshirë në aksident, të gjithë të moshës midis 18 dhe 22 vjeç ishte motivi i ngjarjes.
Sulm tjetër me bombë në Afganistan, 11 nxënës humbin jetën
Pas atentatit në një autobus shkolle që i mori jetën 58 personave një i dytë ndodhi mbrëmjen e djeshme. 11 nxënës shkolle raportohen të jenë viktimat në një shpërthim në jug të vendit.
Sulmi erdhi vetëm disa orë para se talebanët të shpallnin një armëpushim 3-ditor për Bajramin e Madh, festën që festohet këtë javë dhe shënon fundin e muajit të Ramazanit.
"Le të lutemi për të pafajshmit që humbën jetën në mënyrë aq tragjike ishte apeli i Papa Françeskut për besimtarët.
Merkel në samitin e Portugalisë: Pushimet verore nuk mund t’u ndalohen të pavaksinuarve
Pushimet verore me shumë gjasë nuk do u ndalohen as personave të pavaksinuar. Këtë pohoi në samitin e Portugalisë, kancelarja gjermane Angela Merkel, sipas së cilës, incidenca e ulët që po shfaqet në shumë vende flet për një skenar optimist për popujt e Evropës. Në fjalën e saj, Merkel u ndal edhe te hapja e vendeve teksa u kërkoi të bëjnë kujdes, pasi kjo mund të hedhë në erë mundin e gjithë këtyre muajve.
Milani triumfon në Allianz Stadium kundër Juventusit
Milani i ka dhënë një goditje të rëndë Juventusit në Allianz Stadium, teksa ka triumfuar me rezultatin e pastër 0-3. Në pjesën e parë, e cila ishte thuajse e barabartë, vendosi një gol i shënuar nga Diaz. Në pjesën e dytë pritej një reagim nga Juventusi, por nuk ndodhi kështu. Skuadra e Pirlos ishte e pafuqishme të thyente mbrojtjen kuqezi në këtë sfidë. Në anën tjetër, Milani realizoi edhe dy herë të tjera, me Rebic e më pas Tomori vulosi rezultatin në 0-3. Me këtë fitore, Milani ka hedhur një hap të sigurt drejt rikthimit në Champions League, ndërsa Juventusi është tashmë 3 pikë prapa, duke e vënë seriozisht në diskutim zonën Champions.
Reali i Madridit merr një pikë në barazimin me Sevilla
Reali i Madridit duhet të merrte me patjetër fitoren në ndeshjen e kësaj të diele ndaj Sevilla, por në fund, skuadra e Zidane duhet të jetë e kënaqur edhe me një pikë, në takimin e mbyllur 2-2. Fernando kaloi Sevillan në avantazh në fundin e pjesës së parë, ndërsa Asensio riktheu baraspeshën me nisjen e të dytës. Reali u hodh në sulm për golin e fitores, por Rakitic shënoi edhe golin e dytë për Sevilla-n. Në minutat shtesë, Hazard realizoi një devijim perfekt të goditjes së Kroos dhe topi përfundoi në rrjetë, duke bërë që dy ekipet të ndanin nga një pikë në këtë takim. (A2 Televizion)