Çfarë është NATO dhe si mund të anëtarësohen Finlanda dhe Suedia?

Nga A2 CNN
16 Maj 2022, 14:57 | Bota

Suedia dhe Finlanda kanë konfirmuar se do të aplikojnë për t'u bashkuar me aleancën perëndimore të NATO-s. Situata aktuale e konfliktit të Rusisë me Ukrainën, kanë nxitur më shumë vendet skandinave të marrin këtë vendim.

Çfarë është NATO?

NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është një aleancë ushtarake mbrojtëse. Ajo u formua në vitin 1949 nga 12 vende, duke përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Francën. Anëtarët pranojnë t'i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit, nëse sulmohen ushtarakisht. Qëllimi fillestar i NATO-s ishte të kundërshtonte zgjerimin rus në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, shumë nga ish-aleatët e tij të Evropës Lindore iu bashkuan NATO-s.

Si munden Finlanda dhe Suedia t'i bashkohen NATO-s?

Të dyja vendet kanë qenë neutrale për shumë vite, por vendimi për anëtarësimin në NATO u mor që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Mund të duhet një vit për të aplikuar dhe për t'u bërë anëtare e NATO-s dhe të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord që një vend i ri të anëtarësohet.

Për t'u bashkuar me NATO-n, vendet kandidate duhet të përmbushin disa kushte si p.sh, t'i trajtojnë pakicat me drejtësi dhe të angazhohen për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore. Ata gjithashtu duhet të ofrojnë mbështetje ushtarake për aleancën.

Si Finlanda, (e cila ka një kufi prej 1340 km me Rusinë) ashtu dhe Suedia kanë një ushtri të avancuar. Anëtarët e NATO-s bien dakord të shpenzojnë 2% të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Finlanda tashmë e përmbush këtë objektiv dhe Suedia thotë se do ta bëjë këtë "sa më shpejt të jetë e mundur".

Pse NATO nuk po dërgon trupa në Ukrainë?

Duke qenë se Ukraina nuk është anëtare, NATO nuk është e detyruar të dalë në mbrojtje të saj. Vendet e NATO-s kanë frikë se nëse trupat e tyre përballen me forcat ruse, kjo mund të çojë në një konflikt të gjithanshëm midis Rusisë dhe Perëndimit.

Kjo është gjithashtu arsyeja pse NATO refuzoi propozimin e Presidentit Zelensky për një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

Pse Rusia është kundër zgjerimit të NATO-s?

NATO i ofroi Ukrainës një mundësi anëtarësimi në vitin 2008. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Ukraina e ktheu vendimin për t'u anëtarësuar në prioritet. Por kjo nuk ka ndodhur, kryesisht për shkak të kundërshtimit të gjatë të Rusisë.

Rusia beson se NATO ka shkelur zonën e saj të ndikimit politik duke pranuar anëtarë të rinj nga Evropa Lindore, ndërsa anëtarësimi i Ukrainës do ta sillte NATO-n në “pragun e derës” së saj.

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka pranuar se vendi i tij nuk mund të anëtarësohet në NATO për momentin, duke thënë: "Është e qartë se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë". Rusia, nga ana tjetër, ka paralajmëruar Finlandën dhe Suedinë për t'u mos u bashkuar me Aleancën e Atlantikut Verior. 

Çfarë armësh kanë dërguar Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera në Ukrainë?

Fillimisht, vendet e NATO-s kufizuan furnizimet me armë mbrojtëse në Ukrainë, por Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja dërguan mijëra raketa antitank dhe raketa kundërajrore. Sllovakia dërgoi sistemin e saj të mbrojtjes kundërajrore S-300, i cili mund të shkatërrojë avionë deri në 400 km larg. SHBA-ja dhe Turqia kanë dërguar të dyja dronë të armatosur me raketa.

Disa vende të NATO-s po dërgojnë tani armë më të rënda, për t'i mundësuar Ukrainës të kundërsulmojë ushtrinë ruse. SHBA-ja po dërgon helikopterë, artileri dhe transportues të blinduar. Ajo planifikon të ofrojë gjithashtu një grant prej 33 miliardë dollarësh për sigurinë dhe ndihmën ekonomike të Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar po planifikon të dërgojë automjete të blinduara, pajisje lufte dhe sisteme radari anti-artileri.

  • Republika Çeke ka dërguar tanke T-72 dhe transportues të blinduar të këmbësorisë;
  • Australia po dërgon automjete të blinduara;
  • Kanadaja po dërgon artileri;
  • Franca dhe Holanda po dërgojnë artileri vetëlëvizëse;
  • Gjermania po dërgon tanke kundërajrore.

BE-ja ka thënë se do të shpenzojë deri në 450 milionë euro për të financuar furnizimin me armë në Ukrainë, hera e parë kjo që BE-ja ka ndihmuar në ofrimin e armëve për një zonë lufte.

Sa trupa ka NATO në Evropën Lindore?

NATO kishte trupa që shtriheshin nga Baltiku në veri deri në Rumani në jug. Ata ishin vendosur atje në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ndërsa tani, NATO ka dërguar gati 40 000 trupa në vendet në kufi me Rusinë dhe Ukrainën. Ajo ka avionë luftarakë në gatishmëri dhe anije detare, duke përfshirë grupe aeroplanmbajtëse që patrullojnë detet. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/04/12/tre-skenare-se-si-lufta-ne-ukraine-mund-te-perfshije-nato-n-ne-konflikt/

A2 CNN Livestream

Latest Videos