
Procesi i zgjedhjes së presidentit dhe kongresi i 9 prillit i Partisë Socialiste ishin pjesë e debatit në studion e A2 CNN me Alba Alishanin dhe analistët Ermal Hasimja, Edlira Gjoni dhe Plator Nesturi.
Për Ermal Hasimjan figura e presidentit duhet të jetë e panjollosur që t’i japë besueshmëri institucionit.
“Kur Rama që thotë president normal kjo është deklaratë për të sulmuar presidentin aktual, që ka të drejtë se Meta u përpoq të mbante një minimum angazhimi që lidhej me opozitën. Por pavarësisht gricjeve politike ky epiteti normal nënkupton një president që të ishte figurë e panjollosur të qëndronte mbi palët dhe ti jepej një lloj besueshmërie këtij institucioni që është sulmuar gjatë tranzicionit. Të kishim një president konsensual mbi kalkulimet politike që t’i shërbejë Shqipërisë”.
Ndërsa për Nesturin çështja e presidentit me kompetencat që nuk është e rëndësishme dhe as problematikë. Sipas tij mund të jetë një zgjedhje e minutës së fundit.
“Çështja e presidentit nuk është ndonjë problematikë e madhe. Shqipëria nuk ka ndonjë krizë. PD e shfrytëzoi faktin që të zgjidhte presidentin e saj. Kjo është normale që mund ta shfrytëzojë PS aq më tepër në kushtet kur PD ka një krizë mes vetes që dihet se do të zgjasë dhe në këto kushte do të duhej filantropi që të bënte konsensus me opozitën. Duket zgjedhje e minutës së fundit nga PS mund të jetë ravijëzuar figura por nuk është bërë publike. Çështja e presidentit nuk ka ndonjë rëndësi të madhe me kompetencat që ka. Edhe vetë Meta nuk arriti të bëjë diçka përtej elementit të zhurmës sa i takon imponimit të mazhorancës. Vetë vlera e presidencës është shumë e vogël”.
Por duke mbetur te presidenti aktual Ilir Meta dhe rikthimi i mundshëm i tij në politikë, analistja Edlira Gjoni i njeh disa merita në krye të institucionit, që nuk janë parë në presidencat e mëparshme. Ndërsa sa i takon rikthimit të tij tek LSI, Gjoni thekson se ai do ta gjejë atë në pikën më të keqe dhe pa shpresë për ardhje në pushtet.
“Mendoj që pavarësisht pëlqimeve apo jo për individin Meta, presidenca e Shqipërisë nën drejtimin e tij na ka mësuar ca gjëra që nuk i kemi parë; kthimin e një sërë ligjesh dhe zyra ligjore e Metës nuk ka qenë pasive. E meta e tij ka qenë më e madhe se ai ka qenë te krijesa e vet politike si LSI, por nëse do të flasim për presidencën e tij është volumi më i madhi punës i zyrës juridike të presidentit, kur disa gjëra i anashkalonin partitë politike. Kemi parë gjëra si dhe i ka vështirësuar punën Edi Ramës. Kemi parë gjëra që në presidencat e para nuk i kemi parë dhe këto nga ana institucionale i kanë shkuar mjaft mirë. Nga pikëpamja politike ai do të gjejë LSI në pikën më të keqe. Votuesi i LSI është zbehur shumë pak ka LSI nga e djathta shumica e votuesve kanë qenë të majtë, që e gjejnë veten shumë mirë te PS dhe besoj që votuesi i LSI nuk sheh shpresë që LSI të vijë në pushtet”.
Sa i takon kongresit të PS-së, Nesturi thekson se në kushtet e opozitës së dobët mund të ketë luftë për pushtet brenda mazhorancës që mund t’i sjellë pasoja të rënda PS-së. Ndërsa për analistin Hasimja kjo mund të jetë një përpjekje e Ramës për të rigjallëruar PS-në.
“Rama është i pakonkurrueshëm në pushtetin e vet. Shpërndarja e pushtetit si do jetë në PS? Do të kemi ndryshime në qeveri apo jo që mund të jetë arsyeja që Rama ta bëjë edhe në kongres. Por Rama nuk i bën ndryshimet kur ka një problematikë që godet interesat e mazhorancës. Çështja e inceneratorëve dhe arrestimi i zyrtarëve. Ndryshimi i kabinetit mund të tregojë shenja frike. Rama ka treguar se do ta bëjë këtë gjë duke u dhënë afat për të parë sa do realizohen detyrat. Por PS në vetëvete pavarësisht se ka një opozitë të dobët duhet të jetë shumë e kujdesshme, që nuk duhet të bjerë në grackën e vetëkënaqësisë. Një opozitë duhet patjetër se është elementi kyç që të mobilizon dhe këto momente janë të veçanta që po has mazhoranca se këto momente sjellin shpërbërjen e saj sidomos në çështjen e asaj që pjesë të ndryshme të partisë duke mos pasur kundërshtar fillojnë luftën për pushtet. Ky element sjell pasoja të rënda”. (A2 Televizion)