
Një lajm befasues vjen nga Gjermania, Real Madrid ka vendosur të nxjerrë në shitje yllin brazilian Vinicius Júnior në verën e vitit 2026, sipas raportimeve të “Sport Bild”. Vendimi mësohet të ketë ardhur pas tensioneve të fundit mes sulmuesit dhe trajnerit Xabi Alonso, që kulmuan gjatë “El Clásico”-s kundër Barcelonës, shkruan A2 CNN.
Pas zëvendësimit të tij në atë ndeshje, Vinicius reagoi me protesta të forta ndaj trajnerit, gjë që detyroi klubin t’i kërkonte falje publike dhe private. Megjithatë, situata u përkeqësua kur, po atë ditë, në “The Athletic” doli një artikull që kritikonte stilin e drejtimit të Alonsos.
Presidenti Florentino Pérez, ndonëse e ka mbrojtur shpesh Viniciusin, besohet se ka humbur durimin pas kësaj ngjarjeje, duke e konsideruar si shkelje të rëndë të disiplinës. Mesazhi nga drejtuesit e klubit është i qartë: asnjë lojtar nuk është më i rëndësishëm se Real Madridi. (A2 Televizion)
