
Situata brenda Partisë Demokratike duket sikur ndryshon nga dita në ditë, por sipas politologut Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin “Debat”, “gjerat duken të qetësuara dhe të qartësuara, sepse Komisioni i Rithemelimit duket se i ka marrë në dorë drejtimin e partisë, për ta thënë më qartë e ka marrë në dorë Sali Berisha”.
Sipas tij, tashmë fokusi spostohet diku tjetër, sepse “njerëzit duan të dinë tani çfarë do të bëj Berisha për ta bërë më të besueshme veten në syrin e opinionit publik, sfidë kjo që do të jetë më e vështirë edhe se viti 2005”.
Berisha sipas tij duhet të “rishpikë vetveten, të tejkalojë mosbesimin që ka pjesë e mirë e elektoratit gri. Nuk mjafton më narrativa e “votoni mua për inat të Ramës”, duhet diçka më sostanciale dhe nuk duhet të presë për rotacion” .
Por brenda PD-së, për Hasimjen, lidershipi i tij është i pakontestueshëm, Basha tashmë ka një status shumë më inferior, një opozitë ndaj tij mund të vijë më vonë, dhe jo nga Basha, por nuk është ende momenti.
Kur mund të vijë ky moment? “Ai tani po flet në emër të PD-së, edhe pse juridikisht nuk e ka tagër. Do ta ketë vështirë ta bëjë në rast të një humbje pas një viti, kur të jenë zgjedhjet lokale, sepse shumë prej atyre që e mbështesin tani do ta shohin me dyshim, dhe do të dalin në pah figura sfiduese. Ndoshta ai do të jetë momenti më i rëndësishëm në PD”.
Sipas analistes Edlira Gjonit, ndërkohë, “më shumë se personi i Berishës më shqetëson fenomeni i berishizmit në PD. Unë nuk besoj se Basha ishte nxënës i keq i Berishës, ishte nxënës i shkëlqyer i tij, prandaj gjerat shkuan deri këtu. Ata që nuk e kanë dashur këtë kulturë politike në lidership nuk janë më brenda saj”. Por cilat mund të jenë këto figura që mund të rivalizojnë nga brenda ose të paktën nga elektorati demokrat ish-kryeministrin?
“Mund të numëroj lehtësisht 5 emra. Oerd Bylykbashin, Jorida Tabakun, Fatbardh Kadillin, por edhe figura si Genc Ruli dhe Jozefina Topalli, të kontestuara më parë që edhe po mos të mos zgjidhen të paktën e bëjnë diskutimin brenda partisë në një kalibër tjetër. Mos mendojmë se Berisha është i pazëvendësueshëm, askush nuk është i tillë”. (A2 Televizion)