
Prefekti i Lezhës Gjokë Jaku ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej tre vjetësh në këtë qark. Në një postim të gjatë në Facebook ai shpreh falënderimet për ata që e kanë mbështetur, por nuk jep arsyet e dorëheqjes, megjithëse pranon gabimet gjatë ushtrimit të detyrës.
Postimi i prefektit Lezhë Gjokë Jaku
Miqtë e mi, bashkëpunëtorë, bashkëqytetarë!
Po ndaj me ju se sot kam dorëzuar dorëheqjen time nga funksioni i Prefektit të Qarkut Lezhë punë të cilën e bëj prej afro 3 vjetësh.
Së pari, falënderime pafund për administratën që unë drejtova, për korrektësinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, u ndjeva kaq mirë me to.
Së dyti faleënderoj me mirënjohje të gjithë ata drejtues të pushtet vendor, Dr. Policisë, ushtrisë e të degëve territoriale të cilët respektuan një kod sjelljeje e bashkëpunimi miqësor. Falenderim pafund për gjithë kontributin e tyre në përballimin me kohë të zgjatur të situatës post tërmeti dhe të pandemisë kryesisht, shumë prej tyre meritojnë vlerësimin e gjithë opinionit.
Së treti, falënderime për të gjithë ata qytetarë që zgjodhen t'më takonin me besim në zyrë, rrugë e kudo, më inkurajuan e mbështetën por dhe më mirkuptuan për mundësitë e mia në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Miqtë e mi të rrjeteve sociale!
Ka qenë po kaq i rëndësishëm për mua dhe komunikimi me ju, më keni ndjekur e ndjehem ngrohtë me ju, jam përpjekur t'ju ndjek sa kam mundur, sidoqoftë kjo në varësi të kohës time.
Kjo periudhë 3 vjeçare ka qenë një eksperiencë e vlefshme për mua e pas asaj të Q. Shkodër në vitet 1997-2000, më ka plotësuar CV time por jo vetëm. Jam përpjekur gjithnjë të jem i përulur por dhe kërkues për arritjen e objektivave të punës. Sigurisht që në punë dhe gabojmë, unë nuk jam një përjashtim. Jam i lumtur të kem lënë një gjurmë timen të mirë në këtë funksion të rëndësishëm.
Sigurisht që do vijoj të jem aktor modest në jetën publike lokale me të cilën u lidha prej më shumë 30 vjetësh, në të cilën u rrita e u formësova. Do jem banor i këtij qyteti përjetë, një mik juaji padyshim, i lirë e i pandikuar në qëndrimet e mia, antikonformist për probleme që shqetësojnë mjedisin shoqëror, social etj., sepse kështu dua të mbetem.
"Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi" M. Luther King. (A2 Televizion)