Ndryshimet statutore, Partia Socialiste gjen zgjidhjen për dekriminalizimin

Nga A2 CNN
4 Prill 2022, 19:16 | Politikë
Ndryshimet statutore, Partia Socialiste gjen zgjidhjen për dekriminalizimin

Partia Socialiste duket se ka gjetur zgjidhjen për dekriminalizimin. Ndryshimet statutore që pritet të miratohen në Kongresin e 9 prillit, përcaktojnë masa ekstreme për ata që i nxinë faqen partisë.

Kush në nivelet drejtuese dhe përfaqësuese fsheh problemet me drejtësinë, përjashtohet nga partia: “Deklarimi i pasaktë apo i rremë në formular/deklaratë është përgjegjësi personale penale dhe politike. Pavarësisht nëse përbën apo jo vepër penale, ndaj deklaruesit të pasaktë apo të rremë merret masa disiplinore e çregjistrimit nga partia”.

Edhe anëtarët e thjeshtë largohen automatikisht nga radhët e PS në rast të një dënimi të formës së prerë: “Ndërprerja e përhershme e anëtarësisë bëhet kur anëtari i partisë: Dënohet nga organet gjyqësore me vendim të formës së prerë me heqje lirie për kryerjen e një krimi”.

Socialistët kanë menduar edhe për administrimin e partisë në nivele lokale, teksa në çdo bashki do të shtohet një pozicion i ri, ai i Sekretarit Ekzekutiv: “Sekretari Ekzekutiv i Partisë në nivel bashkie është punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë, dokumentacionin, burimet materiale dhe çdo aspekt tjetër administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie. Në punën e tij ai mund të ndihmohet dhe nga staf mbështetës”.

Socialistët do të votojnë dhe për shkarkimin e kryetarëve të degëve në rang bashkie, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi të ri zgjedhor, duke patur parasysh dhe ndryshimet statutore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos