
Deputeti Aldo Bumçi, nga Komisioni i Rithemelimit të PD, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku foli për primaret e mbajtura të dielën nga Komisioni i Rithemelimit të PD për zgjedhjen e kandidatëve në 6 bashkitë e vendit ku do të mbahen zgjedhjet lokale më 6 mars.
Bumçi u shpreh se primaret ishin oksigjen në një ambient toksik. “Janë e drejta e qytetarëve në këto bashki dhe brenda një viti në të gjithë Shqipërinë. Mundësia që njerëzit të ndikojnë dhe të kuptojnë që nuk janë numra. Ne po i japim autoritet anëtarit të partisë Demokratike, i cili priste deri në 12 të natës se kush do të ishin emrat që do nxirrte Basha. Sot, ky qytetar është zot në shtëpinë e tij”.
Por sa përfaqësuese janë primaret për kandidatin që zgjidhet për një bashki? “Ne kishim vendimmarrjen e një personi të vetëm deri tani, nuk kishte një kriter sesi arrihet te një listë. Sot ne kemi një procedurë demokratike. Për shkak të kohës së shkurtër, ne nuk e bëmë dot të plotë procesin, por kjo do të bëhet pas një viti në zgjedhjet e plota lokale në vend”, tha Bumçi. (A2 Televizion)