PD: Koalicioni “non grata” kërkon ta mbajë Shqipërinë në vendnumëro

Nga A2 CNN
31 Janar 2022, 14:49 | Politikë
PD: Koalicioni “non grata” kërkon ta mbajë

Pasi Sali Berisha prezantoi kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjet e pjesshme vendore, Partia Demokratike reagoi duke e quajtur koalicionin e paralajmëruar Berisha me LSI dhe parti të tjera, si koalicion “non grata”

“Sali Berisha ka vetëm një garë, atë për të dëmtuar Partinë Demokratike. Koalicioni “non grata” nuk do ta mbajë Shqipërinë në vendnumëro, hallet e Berishës, Ramës dhe Metës, nuk janë hallet e shqiptarëve. Zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën. Zgjedh Berishën dhe Metën, mban Ramën”, thuhet në reagimin e PD.

Ish-kryeministri Berisha, në konferencën ku prezantoi kandidatët e Rithemelimit për zgjedhjet e pjesshme, njoftoi edhe se së shpejti do të bëjë një koalicion me disa parti, ku do të prezantojë edhe logon e re. “Edi Rama ka konfiskuar siglën e Partisë Demokratike dhe qëllimi i këtij konfiskimi ishte që ne të mos merrnim pjesë në këto zgjedhje. Ne do të marrim pjesë në zgjedhje sepse bojkoti nuk është opsion për ne. Sigurisht që do të ketë një koalicion në përputhje me ligjin dhe në atë marrëveshje do të paraqitet edhe logoja e re. Çdo shqiptar e ka të qartë që logon e vërtetë tonën e ka konfiskuar Edi Rama. Kjo nuk i pengon shqiptarët që logon e vërtetë ta shohin në fytyrat e kandidatëve tanë”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri zbuloi edhe emrin e koalicionit. Ai do të quhet “Shtëpia e lirisë”. “Shtëpia e lirisë do të ketë logon e vet, gjë që është normale në çdo koalicion”, nënvizoi Berisha, i cili ftoi në koalicion edhe të përjashtuarit nga Lulzim Basha në vitin 2017. “Ata do të kontribuojnë në këtë fushatë. Hapja ndaj atyre që kanë dhënë për PD-në është ligj i pandryshueshëm për ne”, theksoi Sali Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/01/31/berisha-zbulon-emrin-e-koalicionit-dhe-siglen-e-re/

A2 CNN Livestream

Latest Videos