
Në një duel mjaft interesant, dy skuadra që kanë pak a shumë të njëjtin nivel, përballen për një vend në çerekfinale. Chelsea-Atletiko Madrid është sfida tjetër që luhet në Budapest për shkak të bllokimit të fluturimeve nga Anglia, ndeshje ku madrilenët janë favoritë, por që gjithçka mund të ndodhë nga momenti që Chelsea ka dikë tjetër tanimë në krye të stolit.
Londinezët nuk kanë asnjë humbje me gjermanin Tmoas Tuhel nën drejtimin e skuadrës. Në kampionat vijnë nga një barazim me Sauthampton. Atletico Madrid është skuadra që kryeson La Ligan, megjithatë madrilenët kanë pësuar një rënie në javët e fundit, pasi kanë marrë vetëm 1 pikë në dy ndeshje dhe kanë rihapur llogaritë e titullit.
Interesant është fakti që në 5 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions, Atletiko ka fituar me një gol që ka ardhur pas minutës së 75. Për herë të fundit këto dy skuadra janë përballur në 2017, me ndeshjen që mbyllej në barazim në fazën e grupeve, por me Atletikon që nuk ia dilte të kualfikohej më tej.
Në takimin tjetër, Lazio sfidon kampionët në fuqi të Bayern Munich. Në letër, duket një mision i pamundur për italianët, megjithatë ekipi i Simone Inzaghit shpreson se mund të përfitojë nga një formë jo dhe aq optimale e Bayern që ka siguruar gjithashtu vetëm 1 pikë nga dy takimet e fundit në kampionat.
Lazio do të tentojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë golin duke qenë se ndeshja e kthimit luhet në Allianz Arena dhe niveli i vështirësisë do të jetë edhe me i lartë. Gjermanët kanë edhe një numër të lartë lojtarësh në infermieri sikundër ndodhet edhe Thomas Strakosha dhe Luiz Felipe te lacialët. Lazio dhe Bayern nuk janë përballur kurrë me njëri-tjetrin në Champions League. (A2 Televizion)