
“Porosia amerikane” mbërriti në Beograd. Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, paralajmëroi udhëheqësit e Serbisë se një krizë e mundshme në Kosovë mund të pengojë bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
Në një diskutim me gazetarët, pasi takoi presidentin, Aleksandër Vuçiç, kryeministren, Ana Brnabiç dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç, zyrtari i lartë amerikan dha detaje për bisedat dhe këshillat e tij, duke kërkuar që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në përmbylljen e dialogut me një marrëveshje përfundimtare përmes propozimit europian, apo franko-gjerman, siç njihet ndryshe.
“Unë nuk kam ardhur këtu për të dhënë ndonjë ultimatum, kam ardhur për të shprehur mbështetjen time të plotë për dialogun nën kujdesin e BE-së dhe për të eksploruar qasjet dhe mënyrat se si mund të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne do ta bëjmë këtë nga afër në bashkëpunim me kolegët nga BE-ja”, tha Chollet.
"Sa i përket asociacionit, dha një garanci të madhe në favor të Kosovës, ne besojmë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo në mënyrë kontradiktore”, u shpreh ai.
Chollet komentoi dhe faktin që Serbia nuk ka ndëshkuar ende Rusinë me sanksione për luftën në Ukrainë, duke thënë se ky shtet nuk do të përparojë më tej në procesin e integrimit pa njehsuar politikat e saj me ato të Bashkimit Europian.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit foli me shqetësim edhe për prezencën e grupit të mercenarëve rusë Wagner në Beograd. Diplomati amerikan tha se Uashingtoni ka parë që Wagner po kërkon të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe vende të tjera, duke këshilluar që kjo nuk duhet të ndodhë.
(A2 Televizion)