
Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të zgjatur me 30 ditë masat emergjente të energjisë elektrike.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë arsyetohet se kjo zgjatje e emergjencës po bëhet për rrezikun e rritjes së çmimeve të energjisë në bursat ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti tha se duke marrë parasysh se gjendja aktuale me çështjen e energjisë mund të përkeqësohet, si dhe çmimet e importit të energjisë mund të shënojnë ngritje gjatë muajve në vijim, Ministria e Ekonomisë ka propozuar disa masa emergjente në furnizim me energji.
Edhe më herët, kryeministri Kurti, përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës, iu kërkoi atyre të kursejnë energjinë dhe të gjejnë mënyra alternative për t’u ngrohur për të shmangur një krizë të mundshme energjetike. (A2 Televizion)