
Një pajisje të tillë shumë të rinj e mbajnë në xhep. Nuk lë aromë cigareje, zgjat më shumë se pirja e një pakete dhe ka kosto të përballueshme. Pirja e cigareve elektronike është rritur në masë kohët e fundit, kryesisht te moshat e reja. Një trend që po krijon masivitet në përdorim pa ditur se cilat janë kostot në shëndet, e aq më tepër tek të rinjtë.
“Nuk e përdor, thjesht e kam provuar. Me aq pak lekë që ka koston, ka lloj-lloj kimikatesh dhe është një nga gjërat më të dëmshme në qarkullim”, thotë një i ri.
“Janë të dëmshme, jo nuk i pi”, thotë një tjetër.
“Më shumë i pinë për të lënë duhanin”, shton një tjetër i ri.
Promovimi masiv i këtyre pajisjeve me avull ka nxitur një kuriozitet të lartë për t’u provuar qoftë edhe vetëm një herë. Por a janë të dëmshme?
“Po bëhen studime në botë për këto cigare dhe nuk ka rezultate përfundimtare që të na japin një vendim të saktë. Ato janë lëndë e huaj dhe sigurisht do të ketë dëmtime. Por të bëhet krahasim me tymin e duhanit nuk kemi rezultate për të folur me kompetencë”, thotë një mjek.
Kompanitë që tregtojnë cigaret elektronike thonë se më të informuar për përdorimin e tyre janë të huaj dhe se dëmet që shkaktojnë janë minimale kundrejt pirjes së duhanit.
“Ne këshillojmë që duhanpirësit të marrin shije duhani në një muaj, dhe më pas ta ndryshojnë shijen. Nëse merr shije tjetër e vel dhe pi duhan. Nëse ul nikotinën, eliminon dhe cigaren elektronike. Janë 95% më pak të dëmshme se duhani sipas Institutit të Shëndetësisë angleze dhe procesi është avullimi dhe jo djegieje si duhani”, shprehet një shitës.
Në ambalazhin e tyre citohet se për konsumatorët fillestarë, përdorimi i tyre shkakton irritim të gojës, tharje fyti, kollë, marrje mendsh, të vjella, si dhe rritje të të rrahurave të zemrës. (A2 Televizion)