
Të mbjellësh një kulturë bujqësore që kërkohet në treg dhe ka pak shpenzime dhe përkujdesje. Ky duket që është çelësi në bujqësi.
Në një kohë kur në vend një pjesë e mirë e fermerëve dhe bujqve ankohen për shpenzime të mëdha të përkujdesjes për kulturat bujqësore, një emigrant ka lënë Italinë dhe është rikthyer në vendlindjen e tij, në Shetaj të Durrësit, për të kultivuar rozmarinën.
Sajmir Kaçuli tregon se përse zgjodhi pikërisht këtë kulturë për ta kultivuar, tregun e shitjes dhe natyrisht pritshmëritë nga kjo eksperiencë: “Është një bimë shumë e mirë, që mendoj se do të sjellë fitime në të ardhmen”.
Ndonëse shprehet i kënaqur, edhe Sajmiri, si çdo fermer, tregon problematikat që has dhe mbështetjen që duhet t’u bëhet fermerëve nga shteti: “Problem është vaditja. E nevojshme është edhe një pikë grumbullimi”.
Ai shpreson që në të ardhmen të tërheqë edhe familjen e tij nga emigrimi dhe tokat që ka përreth, që sot janë me ferra, t’i kthejë në toka bujqësore. (A2 Televizion)