
Industrialistët janë shprehur kundër shtyrjes për në shtator të kontrollit të cilësisë së karburante në qarkullim, kjo bazuar në deklaratat që kanë bërë së fundmi përfaqësues të ekzekutivit dhe agjencive shtetërore. Sipas Konfindustrisë, çdo shtyrje në kohë e një detyre ligjore në tregun më strategjik dhe më të madh të vendit, rrezikon të jetë tërësisht e dështuar dhe vetëm për konsum publik.
Konfindustria vlerëson se abuzimet me cilësinë e karburanteve përbëjnë dhe dëmin kryesor financiar, që i shkaktohet buxhetit të shtetit, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë dhe që përllogaritet në mbi 150 milionë euro në vit. Sipas saj, janë pikërisht përzierjet dhe manipulimet me cilësinë e karburanteve, që përbëjnë një nga mënyrat kryesore të shmangieve fiskale dhe kontrabandës në tregun më të madh të vendit, me mbi 1,3 miliard euro qarkullim vjetor. (A2 Televizion)