
Surprizat nuk munguan dhe në Kupën e Ligës në Angli ku Manchester City u eliminua nga Southampton. “Qytetarët”, edhe pse ishin favoritë për të kaluar më tej, ishin shumë larg pritshmërive dhe u mposhtën 2-0 nga ish-skuadra e Armando Brojës.
Gjithçka u zgjidh në pjesën e parë. Në minutën e 23 ishte Mara që goditi bukur dhe dërgoi topin në rrjetë. Por magjia e skuadrës se Southampton-it nuk mbaroi me kaq. 5 minuta më vonë, Djenepo realizoi një supergol dhe dyfishoi shifrat.
Pas kësaj, skuadra e Pep Guardiola-s u përpoq deri në fund për të rihapur sfidën, por ishte e pamjaftueshëm. Ekipi i Southampton-it kishte ndërtuar një mur që vështirë se mund të kalohej. “Qytetarët” provuan deri në fund me Foden apo Alvarez por finalizimi mungoi. Kaq mjaftoi që Southampton të vuloste kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa Manchester City t’i jepte përfundimisht lamtumirë këtij kompeticioni. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Notingham Forest siguroi kalimin më tej teksa mposhti Wolverhampton-in nga penalltitë pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1. (A2 Televizion)