Çmimet e banesave, kreditë e shtrenjta mbajnë familjet në shtëpi me qira

Nga A2 CNN
7 Korrik 2023, 19:28 | Ekonomi
Çmimet e banesave, kreditë e shtrenjta mbajnë familjet në

Çmimet e qirave të banesave në kryeqytet janë aktualisht në nivelet më të larta historike. Shtrenjtimi i interesave të kredive bankare, po e bën më të vështirë blerjen e një apartamenti dhe për këtë arsye shumë familje janë detyruar të vazhdojnë me qira.

Sipas agjencive imobiliare, çmimet variojnë mesatarisht nga 600 euro në zonën e qendrës, 500 euro në rrugën e Elbasanit duke vijuar me 300 euro në zonën e Ali Demit dhe të Astirit, ndërsa mundësitë më të lira për qira janë në zonën e Freskut me 250 euro. Këto çmime ndërkohë variojnë ndjeshëm në bazë të sipërfaqes dhe kushteve të mobilimit.

Sipas konsulentit imobiliar Dorjan Spahiu, në muajt e parë të vitit tregu është shfaqur i qëndrueshëm, për shkak se klientët kanë zgjedhur të mbajnë banesat ekzistuese me qira, pasi në të kundërt rinovimet e kontratave do të kishin çmime më të larta.

Në Shtator, me fillimin e vitit akademik, konsulentët imobiliarë paralajmërojnë një rritje të qirave të shtëpive.

Një tjetër faktor që po ka rritur përgjatë viteve të fundit çmimet, është edhe investimi në apartamente për qira ditore në platforma si AirBNB dhe Booking, duke përfituar nga kërkesa e shtuar e turizmit. Edhe ky segment, veçanërisht për periudhën e Gushtit ka një rritje të madhe të çmimeve për një natë qëndrimi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/29/rriten-kredite-e-reja-blerjet-e-pronave-mbajne-gjalle-tregun/
https://a2news.com/2023/06/11/kredia-ne-lek-behet-me-e-leverdisshme-se-ajo-ne-euro/

A2 CNN Livestream

Latest Videos