
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi fituesit e Nobelit për Fizikën. Alain Aspect, John Clauser dhe Anton Zeilinger, triumfuan për arritjet e tyre në mekanikën kuantike, studimin e sjelljeve të grimcave dhe atomeve. Treshja u vlerësua me Nobelin në Fizikë për eksperimentet me fotonet e ndërthurura, duke përdorur gjendjen kuantike të tyre, një avancim i teoremës së pabarazisë së Bell, e cila ndryshoi botën e shkencës.
Studimet e fizikantëve nga Franca, Amerika dhe Austria konfirmuan se mekanika kuantike gjen aplikim në botën reale dhe mund të lehtësojë jetën e njerëzve. Më konkretisht, eksperimentet e Aspect, Clauser dhe Zeilinger, mbi fenomenin e quajtur “ndërthurja”, një lloj përqafimi në distancë i grimcave, i kanë hapur rrugën ndërtimit të superkompjuterave kuantikë shumë të shpejtë, si dhe komunikimit të sigurtë të kriptuar, të padepërtueshëm nga hakerat.
“Këtë vit vlerësuam eksperimentet që zbuluan sekretet e thella në natyrë dhe që në veçanti vërtetuan se teoria e fizikës kuantike ështe e saktë, edhe në rastet kur është e vështirë për ta kuptuar. Në këtë drejtim, kjo ka hapur mënyra të reja për të kuptuar natyrën”, tha Gunnar Ingelman, anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze “Nobel”.
Michael Moloney, drejtor i Institutit Amerikan të Fizikës, tha për CNN se zbulimet e tre fituesve të Nobelit do të ndryshojnë botën me zgjidhjet e mundshme që do të ofrohen nga superkompjuterët kuantikë, duke nisur nga vaksinat, teknologjia e deri te parashikimi i motit. Shkencëtarët, fitues të Nobelit në fizikë, u shprehën tepër të emocionuar për vlerësimin e lartë. Ata do të ndajnë shpërblimin prej 10 milionë kronash suedeze, thënë ndryshe 915 mijë dollarë. (A2 Televizion)