
Me katër pikë në katër ndeshje, pavarësisht shanseve të pakta për t’u kualifikuar, Ballkani nuk është dorëzuar. Kampionët e Kosovës kërkojnë të shkruajnë një tjetër faqe historie përballë Slavias të Pragës.
Trajneri Ilir Daja kërkon ndihmën e të gjithë tifozëve, pavarësisht cilën skuadër mbështesin, për të realizuar një tjetër fitore të çmendur në grupet e Conference League.
“Kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj ekipit më të fortë të grupit. Slavia ka qenë favoritja kryesore për t’u kualifikuar. Jemi bërë si Kombëtarja e dytë apo Kombëtarja mbarëshqiptare”, deklaroi trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.
“Nuk jemi në formën tonë më të mirë, por kjo nuk do të thotë që do të futemi në fushë të dorëzuar, thjesht ky është realiteti. Slavia është ekipi më i fortë me të cilin përballemi. Nuk po justifikohemi, thjesht duam t’u tregojmë të gjithëve gjendjen tonë përpara këtij takimi. Duhet të na mbështetin për të bërë një çmenduri tjetër të radhës”, shtoi ai.
I të njëjtit mendim është dhe futbollisti Arbër Potoku. “Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, e dimë kualitetin e tyre. Ata kanë qenë dhe janë favoritë, pasi dihet çfarë tradite dhe organizimi kanë. Do të bëjmë maksimumin, me ndihmën e tifozëve shpresojmë të bëjmë një ndeshje siç na ka hije dhe të dalim faqebardhë. Ndjenjë e papërshkrueshme, është hera e parë që arrij në grupet e Conference League. Eksperiencë e jashtëzakonshme, krenari dhe nder të përfaqësosh Kosovën me një klub në grupet e Conference League”, tha ai.
Ballkani luan kundër Slavian mbrëmjen e sotme, prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. (A2 Televizion)