Covid-19, Gjermania kërkon një izolim të ri kombëtar, ndërsa Britania mendon për pushimet verore

Nga A2 CNN
9 Prill 2021, 14:24 | Bota
Covid-19, Gjermania kërkon një izolim të ri kombëtar,

Gjermania po shkon drejt një izolimi të ri kombëtar. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, e konsideroi të nevojshme një masë të tillë për të luftuar valën e re të pandemisë koronavirus.

Ai theksoi se situata e rëndë në spitalet e vendit e ilustron qartë nevojën për një bllokim total për të paktën 2 javë, ndërsa numri i pacientëve në terapi intensive rritet vazhdimisht.

“Na duhet një izolim për të thyer valën aktuale dhe të ulim incidencën në 100. Kjo do çojë në hapje më të madhe në sektorin e prodhimit, restorantet, bizneset e tjera dhe kthimin e tifozëve në stadiume.”

Ndërsa Britania po zbut dhe më tej kufizimet. Tani qytetarët mund të prenotojnë pushimet verore jashtë vendit, edhe pse mbesin ende prezente disa rreziqe. Deklarata erdhi nga ministri britanik i transportit, Grant Shapps, pasi qeveria zbuloi detaje të sistemit të ri për udhëtime. Në të përfshihet kategorizimi i vendeve me 3 ngjyra, bazuar në nivelin e përhapjes së Covid-19.

“Kjo është hera e parë që nuk ju them të mos prenotoni për verën. Në vend të kësaj, po ju njoftoj se për dy ose tre javë, do ta keni atë listë të vendeve me ngjyrë të gjelbër, portokalli apo të kuqe, kështu që do të jeni në gjendje të merrni vendime dhe sigurisht shikojini me kujdes politikat e tyre të udhëtimit dhe rimbursimit”, u shpreh Shapps.

Pjesë e planit do të jetë një certifikatë digjitale udhëtimi, ndërsa në varësi të shtetit nga kthehen, britanikëve do t'u kërkohet karantinimi ose jo për disa ditë. Ky plan do të rishikohet në fund të qershorit, korrikut dhe tetorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos