
Covid-19 ka hyrë dhe po përhapet edhe në Parlamentin e Shqipërisë, duke infektuar disa deputetë.
Ralf Gjoni, nga radhët e opozitës, njoftoi publikisht përmes mediave sociale se ishte prekur nga koronavirusi.
“Dje kam rezultuar pozitiv me Covid 19 pas tri ditësh temperaturë të lehtë e gjendje gripale. Sot jam më mirë dhe me sa kuptoj, drejt rikuperimit”, shkruan Ralf Gjoni ne Facebook.
A2 mësoi se edhe deputeti Enver Roshi ka rezultuar pozitiv në testin e kryer një ditë më parë, ndërsa në fundjavë u mësua se Covid-19 kishte prekur edhe ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi.
Më herët janë infektuar nga virusi dhe tashmë rezultojnë të shëruar deputetët Eljo Hysko dhe Adriatik Alimadhi.
Pavarësisht rasteve të shtuara me Covid mes deputetëve, Kuvendi do të vijojë me dy seancat e tjera të programuara më 29 dhe 30 korrik, ndonëse do të reduktohet koha e diskutimeve.
Gjatë ditës së sotme edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi se kishte rezultuar pozitiv në testin e kryer. Veliaj tha se gjendja shëndetësore e tij dhe ajo e familjes ishte e mirë dhe se do të vijonte të punonte nga shtëpia. (A2 Televizion)