
Bota është sot një hap më pranë lënies së cigareve, në favor të alternativave më pak të dëmshme. Administrata e Ushqimeve dhe Medikamenteve në Shtetet e Bashkuara, i ka dhënë zyrtarisht sistemit IQOS, që ngroh, por nuk djeg duhanin, të drejtën për të deklaruar se i ekspozon konsumatorët ndaj një rreziku të modifikuar nga cigarja.
Drejtori Ekzekutiv i kompanisë që prodhon IQOS, Philip Morris International, André Calantzopoulos, e quajti atë një vendim historik.
"Vendimi i FDA është një ngjarje historike për shëndetin publik, jo vetëm sepse IQOS është pajisja e parë elektronike që merr vërtetimin se ka një rrezik të modifikuar, por gjithashtu sepse tregon se jo të gjitha produktet e duhanit janë njëlloj. IQOS, edhe pse përmban duhan, është një produkt tërësisht ndryshe nga cigaret".
Drejtori Ekzekutiv i kompanisë që prodhon IQOS, André Calantzopoulos
Doktoreshë Moira Gilchrist, zëvendëspresidente e gjigantit ndërkombëtar të industrisë së duhanit, shpjegon shkencën pas vendimit të FDA.
“E gjithë kompania ka punuar mbi produkte si IQOS prej mbi një dekade. Pjesa kryesore e vendimit i përket sistemit të ngrohjes së duhanit, në vend të djegies. Kjo ishte thelbësore sepse ne e dimë që është djegia që shkakton prodhimin e pjesës më të madhe të kimikateve të dëmshme që shkaktojnë sëmundje të lidhura me duhanpirjen. Vendimi tregon se kalimi nga cigaret tradicionale drejt sistemit IQOS redukton në mënyrë të qenësishme ekspozimin e trupit ndaj kimikateve potencialisht të dëmshme. Por është thelbësore që kalimi të jetë përfundimtar, dhe këtë po u themi duhanpirësve në të gjithë botën: duhet të braktisni cigaret”.
Doktoreshë Moira Gilchrist
Ndonëse një prej liderëve të industrisë, kompania amerikane ka shpallur objektivin për të zhdukur shitjet e cigareve brenda pak dekadave, duke përqendruar fondet për kërkim dhe zhvillim tërësisht tek alternativat si IQOS.
“Ne synojmë që deri më 2025 të paktën 40 milionë konsumatorë do të kenë kaluar te ky produkt. Tanimë po i afrohemi shifrës 11 milionë. Lufta ndaj duhanit vetëm me rritje të akcizës dhe kufizimeve është e pamjaftueshme, pasi kemi mbi 1 miliard duhanpirës anembanë botës. Ndaj, produktet që janë vlerësuar shkencërisht si alternativa më të mira se cigaret duhet t’u bëhen të disponueshme duhanpirësve. Ne jemi mbështetur tek IQOS për shkak se për nga shija dhe përçimi i nikotinës është alternativa më pranë cigareve”.
André Calantzopoulos
Vetë kompania apelon për lënien e duhanit dhe çdo produkti nikotine, si zgjidhja perfekte. Por për qindra miliona njerëz që nuk do ta lënë kurrë, IQOS është i rëndësishëm pasi ul ndjeshëm rrezikun e tyre për sëmundje të lidhura me konsumin e duhanit.
“Të dhënat që kemi marrë nga shtetet e shumta ku tregtohet ky produkt, tregojnë se 70% e konsumatorëve e braktisin përfundimisht cigaren, madje në disa vende kjo shifër është më e lartë. Kjo është një arritje e madhe për reduktimin e rrezikut”.
Doktoreshë Moira Gilchrist
“Vetëm epidemiologët përgjatë viteve do të mund të bëjnë një vlerësim të saktë se sa reduktim të sëmundjeve do të kemi. Por, gjithkush duhet ta besojë se me provat që kemi, rreziku do të ulet dhe do të shohim një përmirësim të shëndetit publik. Por me kushtin që njerëzit të kalojnë te produkti, t’i braktisin cigaret dhe me angazhimin që të mos kemi rritje të përdorimit tek audienca që nuk kërkojmë: joduhanpirësit dhe të rinjtë”.
André Calantzopoulos
Sëmundjet e shkaktuara nga duhanpirja krijojnë një humbje për ekonominë globale prej mbi 1.4 trilionë dollarësh në vit dhe dëmtojnë kryesisht shtresat më vulnerabël. Nëse autoritetet publike do të ndryshojnë qasjen drejt uljes së rrezikut nga duhanpirja, përfitimet mund të kapin deri në 2% të GDP-së botërore çdo vit. (A2 Televizion)