COVID-19 ka hyrë në janar? Mjekët e QSUT publikojnë imazhe të pranisë së virusit

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 16:43 | Aktualitet
COVID-19 ka hyrë në janar? Mjekët e QSUT publikojnë imazhe

COVID-19 ka hyrë në Shqipëri që në janar, dy muaj para zbulimit të rasteve zero. Kjo tezë e hedhur nga kirurgu Gëzim Xhepa është mbështetur me fakte nga imazheristët e QSUT.

Përmes një postimi në profilin e tij, mjeku Xhepa publikon imazhe të mushkërive të pacientëve të sëmurë në periudhën janar-shkurt, atëherë të diagnostikuar me pneumoni, por që sot kanë të njëjtën fizionomi, mushkëritë e prekura nga COVID-19.

“Kam tre javë që i kërkoj departamentit të Imazherisë të fillojë hulumtimin e imazheve pulmonare të epidemisë janar-shkurt 2020! Sot, falë mikut dhe kolegut tim të nderuar Dr. Renato Osmenaj, imazheristit që ishte i pari, që javën e parë pas zbulimit të të ashtuquajturit rast 0, identifikoi fizionominë dhe identitetin imazherik pulmonar të COVID-19 dhe potencën e ekzaminimit CT ndër ekzaminimet e skemës bazë për diagnostikim dhe përcaktim prognose. Mu ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së COVID-19 në datat 15-20 janar, në disa raste në Infektiv”, shkruan mjeku.

Burime për A2 bëjnë të ditur se edhe në spitalin e Durrësit se 11 pacientë në periudhën janar-shkurt, janë diagnostikuar me pneumoni atipike, por sot fotografitë pulmonare janë identike me pamjen e një mushkërie të prekur nga COVID-19.

Mjekët pritet të analizojnë të tjera të dhëna te pacientët që në periudhën janar-shkurt janë trajtuar si të prekur nga gripi Ah1n1 dhe komplikacionet që shkaktonte ai. Ndërsa mjeku Gëzim Xhepa, vijon postimin e tij duke thënë se piku i epidemisë së koronavirusit në Shqipëri ka kaluar para vendosjes së karantinës, ndaj propozon hapjen, por me një sjellje të re të shoqërisë, atë të distancimit fizik.

“Tani i takon Komitetit Teknik të marrë seriozisht këto fakte, për përcaktimin e një strategjie të qartë dhe të shpejtë zhbllokuese, për kalimin nga izolimi në distancim, duke kthyer në normalitet brenda një edukate distancimi jetën sociale, ekonomike dhe shëndetësore në vend”.

Epidemiologët, deri tani, mbështesin idenë se gripi i stinës AH1N1, ishte më agresiv se një vit më parë. Ndërkohë, shifrat zyrtare të buletinit të gripit deri në fillim të marsit, flasin se për këtë dimër u prekën nga AH1N1, 25% më shumë persona se një vit më parë.

Rreth 1 mijë të prekur u shtruan në spital me komplikacione nga gripi, ku 20% e tyre përfunduan në terapi intensive apo intubim. Zyrtarisht, 4 persona kanë humbur jetën nga A1N1 këtë vit, ndërsa analiza e parë për COVID-19 është kryer më 31 janar dhe ka rezultuar negative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos