
Infektimi i një prej gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme thuajse ka ndërprerë punën në këtë institucion prej ditës së premte. Përveç të prekurit, janë karantinuar dy gjyqtarë të tjerë që kanë zhvilluar gjykime me të ditët e fundit, si edhe disa punonjës të gjykatës.
Për shkak se trupa e kësaj gjykate përbëhet nga 10 gjyqtarë në total, mungesa e tre prej tyre vë në vështirësi serioze zhvillimin e gjyqeve për shkak se janë pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore.
Ndonëse nuk ka një vendim për pezullim të punës, seancat e së hënës, mes të cilave edhe ajo ndaj Arbër Çekajt dhe dy të bashkëpandehurve të akuzuar për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri, dështuan. Apeli i Tiranës mori masa pas konfirmimit të një gjyqtari të infektuar. Këshilli i kësaj gjykate vendosi reduktimin e veprimtarisë gjyqësore. Sipas vendimit, nga kjo e hënë në Apel do të zhvillohen vetëm çështjet me karakter emergjent, si vlerësimi i masave të sigurisë, apo i kërkesave për ekstradim, të cilat kanë afate të ngutshme kohore.
Covid-19 ka prekur edhe një prej punonjësve të Gjykatës së Lartë. Burime pranë kësaj gjykate bënë me dije se veprimtaria gjyqësore do të vijojë, por me staf të kufizuar. Ndërkohë, është bërë dezinfektimi i ambienteve, si edhe po respektohen kufizimet dhe rregullat e kërkuara nga autoritetet shëndetësore. (A2 Televizion)